Ferizaj. 07.09.2017. Me një ceremoni të organizuar sot u janë dhënë vendimet 38 familjeve ferizajase me kushte jo të mira ekonomike , të cilat ua mundësojnë shfytëzimin e përkohshëm të banesave solidare të cilat janë pronë e komunës.
Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa gjatë dhënies së këtyre vendimeve u ka thënë familjeve përfituese se komuna në vazhdimësi po tregon angazhim maksimal për zgjidhjen e problemeve të banimit për familjet që kanë problem me strehimin.
“Unë sot kam nderin dhe kënaqësinë që pas një pune të frytshme, të gjatë e të mundimshme për vlerësimin dhe seleksionimin e të gjithë aplikuesve për banesat solidare, që të jem pjesë e këtij akti solemn të ndarjes së vendimeve për banesat sepse këto banesa janë banesa sociale .
Sipas ligjeve tona në fuqi ato jepen me qira dhe nuk janë në pronësi të përhershme tuajën por ju do të jeni pronarë deri sa ta zgjidhni problemin e banimit, ndërsa këto banesa prapë mbeten në pronësi të komunës ndërsa është obligim dhe përkushtim i qeverisë komunale që të merret me zgjidhjen e problemeve të banimit dhe të strehimit për të gjithë ata që kanë nevojë , një problem të cilin po arrijmë ta rrumbullakojmë, sepse kemi trashëguar mbi 136 familje që kanë pasur nevojë për strehim” tha kryetari Svarqa.
Ai më tej shtoi se janë shfaqur disa telashe me disa familje uzurpatore në banesat e komunës ,por u zotua se komuna do të zbatojë ligjet me përpikmëri për krijimin e kushteve në mënyrë që banesat të jepen për familjet përfituese që kanë plotësuar kriteret ligjore.
“Unë nuk e njoh askënd prej jush personalisht, ndoshta dy a po tre veta këtu, por përjetoj këtë akt si një fitore të përbashkët sepse në këtë moment e ndjej veten si pjesë e familjeve të juaja. Ju uroj në këtë moment për marrjen e këtyre vendimeve dhe në të njëjtën kohë i thërrasim publikisht të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që në këtë kohë janë në këto banesa si uzurpatorë që të heqin dorë në mënyrë të vullnetshme që edhe ata e din se nuk janë në pronësi të tyre por që janë të komunës dhe duhet të lirohen në të kundërtën, ndonëse nuk kemi ndonjë vullnet dhe gatishmëri as dëshirë që të përballemi me qytetarët tanë përmes forcës së shtetit . Ne tregojmë që jemi të vendosur që të gjitha, ato t’i lirojmë për t’a ofruar kushtet këtyre përfituesve, një numër i këtyre pronave ndodhen edhe në konteste gjyqësore dhe shpresojmë që organet e drejtësisë t’ ua njohin të drejtën komunës edhe juve si shfrytëzues të këtyre pronave” pohoi ai.
Kryetari Svarqa shpejgoi me tutje se përpjekjet e qeverisë komunale do të jenë të vazhdueshme për zgjidhjen e problemeve të strehimit, qoftë me ndërtime të reja përmes partneritetit pubiko privat, qoftë përmes formave të tjera.
Ndërkaq familjet e përzgjdhura u shprehën të gëzuara që më në fund po u zgjidhet problemi i strehimit.
“Unë sa herë kam dal nga fshati im Komogllava për nevoja shëndetësore më është dashur të paguaj taksi deri në 10 euro e s’ kam pas ku me i marrë, kurse tash jam gëzu shumë për banesën që më është nda afër të gjitha shërbimeve, e falënderoj shumë komunën që vërtet e ka vlerësua nevojën tonë” tha Kumrije Ukshini njërsa ndër përfitueset.