Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në një prononcim për Telegrafin tha se në takimin i cili u mbajt të martën në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në mes përfaqësuesve të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të drejtorive komunale si dhe të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është propozuar që java e ardhshme të jetë pushim për institucionet arsimore para universitarë (Shkollat fillore, e mesme e ultë dhe e mesme e lartë), ndërsa vendimin final për këtë siç tha ai do ta marr Qeveria e Kosovës.
Jasharaj po ashtu tha se ky vendim nuk vlen për institucionet parashkollore (çerdhet, kopshtet) dhe institucionet universitare.
“Pritet që ministri Armend Zemaj dhe Ramë Likaj ta paraqesin në Qeveri vendimin zyrtarë. Në takim u tha që java e ardhshme të jetë pushim klasik, që d.m.th nxënësit dhe mësimdhënësit ta kenë pushim. Ne insistuam që mos të ndërpritet mësimi, por nga ato që thanë nga IKSHPK vlerësuan që java e ardhshme të jetë pushim për shkak të numrit të madh të rasteve me COVID-19 Të gjithë u pajtuam që nëse numri i të infektuarve nuk bie, atëherë do të vlerësohet që të kalohet në mësimin online, të cilin vendim asnjëri nuk e do dhe se preferon. Nga takimi i djeshëm ishte vendim i përbashkët që në javën e ardhshme 22 mars pushim ta kenë arsimi fillor, i mesëm i ultë dhe i mesëm i lart, ndërsa kjo nuk vlen për çerdhet dhe institucionet universitare”, ka thënë Jasharaj.
Ndryshe, edhe zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Xhavit Rexhaj për Telegrafin tha vendimin final për dakordimin mes institucioneve për pushimin njëjavor do ta marr Komiteti anti-COVID në kuadër të Qeverisë së Kosovës.