Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa e vlerëson si hap të suksesshëm për vendin, fillimin e aplikimit të i marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Isa Mustafa, deklaron po ashtu, përmend një numër të madh të sukseseve të Qeverisë, si përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, stabilitetin buxhetor etj, duke shtuar se zhvillimi ekonomik do të jetë bazë e fortë e zhvillimit arsimor e shëndetësor, për ndërtim të infrastrukturës rrugore, shkollore, sportive e kulturore, për stabilitet politik e social dhe do të konvergjojë me forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit.
Ky është postimi i Kryeministrit Mustafa:
Të nderuar miq,
Kosova është në rrugë të mbarë.
Para dy ditësh filloi aplikimi i marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, MSA-së. Në fund të muajit të kaluar përmbyllën edhe ato pak rekomandime të mbetura për liberalizimin e vizave. Në të njëjtën kohë Zyra e Rregullatorit të Energjisë vendosi të zbres çmimin e energjisë për sektorin e ekonomisë, përfshirë edhe Trepçën dhe Feronikelin, ndërkaq nuk u shtrenjtua energjia për qytetarë.Bizneset shprehen pozitivisht për masat e politikave ekonomike dhe politikave fiskale dhe për efektet pozitive të këtyre masave në të bërit biznes në Kosovë. Njerëzit tanë po punojnë, në bujqësi, në prodhim, në tregti, në shërbime; po rritet edhe efiçenca e shërbimit civil.
Vitin që shkoi e përmbyllëm me stabilitet të plotë buxhetor, kundrejt rritjes së ndihmave sociale, siguruam fonde për rritjen e pensioneve për kontributdhënësit dhe përfunduam të gjitha detyrimet kontraktuale. Fluksi i investimeve të jashtme të drejtpërdrejta ishte më i madh krahasuar me shumë vite më parë. Qytetarët ndjehen të sigurt në shtetin e tyre.
Është mirë që këto ecuri ti shohim, ta vlerësojmë veten dhe vendin tonë. Të ndihmojmë të gjithë ne për një ambient tërheqës për investime dhe zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik do të jetë bazë e fortë e zhvillimit arsimor e shëndetësor, për ndërtim të infrastrukturës rrugore, shkollore, sportive e kulturore, për stabilitet politik e social dhe do të konvergjojë me forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit.
Duhet ta respektojmë veten që të na respektojnë të tjerët. Qytetarët dhe vendi ynë meriton më shumë respekt. IM