Gjatë ditës së djeshme shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini”, Instituti për Promovimin e Edukimit – IPEDU përmes Fondacionit Sollon i ka dhuruar dy makina të qepjes për profilin e Konfeksionit.
Stafi i shkollës “Zenel Hajdini” ka falënderuar profesor Ramush Lekaj me bashkëpunëtorët e tij të cilët po japin një kontribut të madh në ndihmë të ofrimit të kushteve për nxënës dhe aftësimit të tyre.
“Si staf menaxhues i shkollës gjatë gjithë kohës punojmë që tu sigurohen nxënësve kushte sa më të mira të punës e sidomos në pajisjen e kabineteve për zhvillimin e shkathtësive për nxënës të profileve të ndryshme. Por donacioni i fundit ka qenë vërtet një befasi. Befasia ishte se i gjithë ky proces filloi dhe përfundoi brenda dy ditësh. Ditën e parë ishte një kërkesë drejtuar IPEDU-së për ndihmë dhe ditën e nesërme makinat ishin në kabinetin e Konfeksionit. Ishte kjo befasi edhe për vetë mësimdhënësit e mësimit praktik kur ditën e nesërme gjetën në kabinetin e tyre edhe dy makina të reja. Është kjo një mundësi që nxënësve të këtij profile tu ofrohen kushte për punë praktike pasi me kapacitetet ekzistuese dhe interesimit të madh të nxënësve për këtë profil kishte filluar të paraqet problem” tha drejtori I kësaj shkolle.
Por ky nuk është donacioni i vetëm nga IPEDU për këtë shkollë.
Dy vite më parë IPEDU, kësaj shkolle i ka dhuruar edhe tri makina të qepjes me pajisje përcjellëse, ka siguruar material harxhues për qepjen e uniformave të mësimdhënësve të shkollës, si dhe gjatë pandemisë i ka dhuruar material për qepjen e maskave, ku nga nxënësit e këtyre profileve u përgatitën mijëra maska.
Po nga ky fondacion para dy vitesh të gjithë shkollave të mesme të Ferizajt iu dhuruan mbi 400 kompjuter për nevojat e kabineteve të IT-së.
Instituti për Promovimin e Edukimit – IPEDU përmes Fondacionit Sollon pos këtyre ndihmave për çdo vit ndanë edhe bursa për nxënës.