Gjatë katër viteve të fundit, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt ka realizuar investime të konsiderueshme, duke arritur të mbështesë rreth 3,000 fermerë në sektorë të ndryshëm si bujqësia e përgjithshme, pemëtaria dhe bletaria. Me një buxhet investimesh që arrin rreth 4 milionë euro, kjo komunë është renditur ndër më të avancuarat në Kosovë për mbështetjen dhe zhvillimin e bujqësisë.
Investimet më të shumta që janë bërë në këtë sektor janë:
-Subvencionimi i serave familjare dhe gjysmë-komerciale.
-Investime në mekanizmin bujqësor, veçanërisht në pajisje si multi-kultivatorë.
-Pajisje inovative për mbjelljen e farave të perimeve.
-Dhomat ftohëse për ruajtjen e prodhimeve bujqësore.
-Pajisje moderne për bletari (centrifuga dhe koshere) si dhe
-Sistem mbrojtës për bletishte që funksionon me energji diellore – i cili ka eliminuar dëmet që u janë shkaktuar më herët bletishteve nga kafshët e egra, sistem ky që i është siguruar 20 bletarëve.
Sa i përket përzgjedhjes të përfituesve të subvencioneve ndër kriteret që kanë qenë mund t’i veçojmë si;
-Dhënia për fermerët nga Komuna e Ferizajt me toka ose bletishte brenda territorit të komunës.Përparësi kanë pasur ata që nuk kanë qenë përfitues të subvencionit më parë.Aplikimi të jetë adresuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Dhe si kritere plotësuese aplikuesit të kenë në posedim traktorë si dhe mjete tjera të disponueshme bujqësore.
Rezultatet janë vënë re dukshëm sidomos me rritje të qëndrueshme në sipërfaqet e punueshme dhe në numrin e fermerëve që përdorin sera. Vetëm në vitin e fundit janë subvencionuar 321 sera duke krahasuar me vitet paraprake të cilat kanë qenë në numër më të vogël.
“Interesi për sera është rritur shumë për shkak të çmimeve të larta të produkteve në treg dhe dëshirës së fermerëve për të siguruar të ardhura të qëndrueshme për familjet e tyre,” shpjegoi drejtori z. Bajrami.
Gjithashtu, sipërfaqet e mbjella me grurë këtë vit kanë kaluar 4,000 hektarë, duke shënuar një trend të qëndrueshëm rritjeje në bujqësi.
“Ndër projektet që mund t’i cilësojmë si më madhore janë: Investimet rreth 1 milion euro për kapacitete që ruajnë prodhimtarinë vendore. Si dhe 600.000 euro për rregullimin e tregut të kafshëve dhe strehimorën për qentë endacakë. Gjithashtu edhe duke i cekur investimet edhe në kanalet kulluese si dhe përmirësimin e rrugëve të arave.Megjithëse është bërë shumë përparim, drejtoria përballet me sfidën kryesore të mungesës së buxhetit, që kufizon mundësitë për të zhvilluar më shumë aktivitete brenda komunës. Megjithatë, me buxhetin ekzistues janë arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe investime që e vendosin Ferizajn përpara shumë komunave tjera në Kosovë” ka shtuar z. Bajrami
“Për shkak të territorit të vogël dhe të popullimit të madh, zhvillimi i bujqësisë organike në komunën tonë është shumë i vështirë nga se kërkon kushte specifike. Por, vlen të ceket se në të ardhmen, fokusi do të jetë te dixhitalizimi, përfshirë investimet në sera smart, me qëllim që të zëvendësohet mungesa e fuqisë punëtore dhe të rritet kapaciteti prodhues i kultivuesve të perimeve. Ky do të jetë drejtimi kryesor i investimeve në katërvjeçarin e ardhshëm nëse vazhdojmë të udhëheqim këtë sektor” përfundoi drejtori z.Bajrami. / Për Ferizajpress: Aurorë Zymberi