Lajme

Institucionet heshtin ndaj raportit kritikues të DASH-it

By FerizajPress

July 02, 2016

Institucionet e Maqedonisë nuk e komentojnë raportin më të ri të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin me njerëz, i cili e ka ulur Maqedoninë nga kategoria e parë në atë të dytë (Tier 2), si vend që nuk i plotëson në tërësi standardet minimale për eliminimin e kësaj dukurie negative.

Në raport theksohet se në këtë gjendje Maqedonia është para së gjithash si pasojë e krizës së migrantëve, duke u shndërruar kështu në një vend transit dhe destinacion për burra, gra dhe fëmijë, të cilët bëhen cak i tregtisë me njerëz, ose punës së detyruar.

Autoritetet, thuhet në raport, kanë evidentuar raste të trafikimit, por nuk kanë ndërmarrë masa shtesë për hetimin e tyre të plotë.

“Qeveria e Maqedonisë bën përpjekje, por ende nuk i plotëson në tërësi standardet minimale për eliminimin e tregtisë me njerëz”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili përmend edhe disa ndryshime ligjore për të mundësuar lëvizjen e migrantëve nga Greqia drejt kufirit me Serbinë, por pa harruar edhe rastet e mbylljes së kufijve që kanë nxitur paraqitjen e kalimeve ilegale.

Organizatat joqeveritare që tani një kohë të gjatë po merren me çështjen e migrantëve, pranojnë gjendjen, në të cilën ndodhet vendi sa i përket trafikimit me njerëz, në veçanti me migrantët nga Siria, Iraku, por edhe shtete tjera.

Jasmin Rexhepi nga organizata “Legis”, thotë se është i madh numri i atyre që kalojnë ilegalisht kufirin në Greqi, duke paguar shuma të mëdha parash për të vazhduar rrugëtimin e nisur.

“Në bazë të informatave tona, rreth 200 persona në ditë kalojnë nga Maqedonia në territorin e Serbisë. Të gjitha kalimet bëhen në mënyrë ilegale, kush si të mundet, por në të shumtën e rasteve ata kalojnë ilegalisht kufirin”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, personat e trafikuar apo që paguajnë shuma të mëdha parash, janë objekt i abuzimeve të shumta nga grupe të ndryshme mafioze. Ai thotë se shoqatat joqeveritare, nëpërmjet donacioneve të ndryshme, kanë bërë dhe po bëjnë shumë më tepër se institucionet, të cilat, siç thotë ai, shpesh herë e kanë ndërlikuar edhe më shumë gjendjen, qoftë me mbylljen e kufirit apo me masa tjera represive.

Nga ana tjetër, Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, duke komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se problemi qëndron në moszbatimin e ligjeve.

“Ne kemi ligje të mira, por ato nuk zbatohen në praktikë dhe si rrjedhojë e kësaj, nuk kemi kontroll mbi atë që po ndodh që nga paraqitja e krizës së migrantëve. Migrantët janë cak i trafikimit dhe mënyrave tjera të përfitimit nga persona të pandërgjegjshëm, të cilët fare nuk luftohen nga ana e institucioneve. Madje, ka raste kur edhe vetë institucionet apo individë të caktuar janë të përfshirë në tregtinë me njerëz”, thotë Pirovska.

Ajo shton se fenomeni me tregtinë me njerëz ka marrë përmasa shqetësuese, në veçanti pas mbylljes së kufijve, ndërsa për gjendjen, në të cilën ndodhet Maqedonia, fajëson në radhë të parë organet e sigurisë.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk po ndërmerr asgjë për të hetuar se çfarë po ndodh me këta njerëz. Në këtë ka ndikuar edhe kriza politike, e cila ka zhvendosur vëmendjen nga kriza me migrantë, e cila ishte shumë aktuale. Këtu bën pjesë edhe informimi jo i duhur i medieve, të cilat gjithashtu janë përqendruar në raportimet rreth krizës politike”, përfundon Uranija Priovska.

Përveç krizës së migrantëve, raporti i e Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson se fëmijët, veçanërisht të bashkësisë rome, edhe më tej janë viktima të punës së detyrueshme dhe të keqpërdorimit seksual nëpërmjet martesave të detyrueshme.