Lajme

Inspektorati brenda pak ditësh fillon inspektimin e mediave

By FerizajPress

April 14, 2016

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në konferencën e mbajtur për media diskutoi për nismën e Inspektoratit të Punës për t`i inspektuar kompanitë mediale lidhur me respektimin e ligjit të punës. Kreu i Asociacionit, Zekirja Shabani ka bërë të ditur se Inspektorati tashmë ka filluar që t`i inspektoj të gjitha kompanitë mediale lidhur me shkeljen e ligjit të punës.

“Gazetarët përveç kushteve të renda të punës përballen edhe me mungesë të kontratave. Do të inspektohen të gjitha mediat në vend”, ka thënë Shabani.

Sipas tij shumica e mediave në mungesë të financave shpeshherë shkelin edhe ligjin e punës.

“Ne jemi partner të mediave. Ne do t`i përkrahim ata në plotësimin e ligjit të punës dhe të drejtave të punëtorëve”, tha ai.

Ndërkaq kryeinspektori Basri Ibrahimi është shprehur se në kuadër të analizave që ka bërë inspektorati do të fillojë së implementuari inspektimet në shtëpitë mediale.

‘Në bashkëpunim me AGK-në ne i informojmë mediat se do të shkojmë në inspektim në shtëpitë mediale”, ka thënë Ibrahimi.

“Në këtë pikë kërkojmë edhe ndihmën e gazetarëve. U bëjë apel gazetarëve që të jenë të guximshëm dhe t`i shfaqin problemet e tyre në mediat ku ata punojnë’, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi tregon se nuk ka statistika të sakta se sa raste të ankesave të punëtorëve të mediave janë bërë në këtë institucionin por thotë se nga kontaktet me gazetarët dhe punëtorët e mediave shumë punëtorë kanë probleme me respektimin e ligjit të punës.

Ibrahimi bëri të ditur se në ditët në vijim do të inspektohen të gjitha kompanitë që kanë mbi pesë punëtorë.