Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati dhe drejtori i infrastrukturës, Arbër Bytyqi si dhe bashkëpunëtorë të tjerë gjatë ditës së sotme kanë inspektuar punimet e projektit “Unaza e jashtme e qytetit”, duke vizituar kështu segmentin e këtij projekti që përshkohet në fshatin Greme, gjegjësisht në lagjen e Topojanëve, investim ky i rëndësishëm infrastrukturor që lidh shumë fshatra me qytetin e Ferizajt.
Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu duke parë nga afër punimet që po zhvillojnë operatorët ekonomik, u shpreh se Komuna e Ferizajt është e vendosur në realizimin cilësor të projekteve infrastrukturore, ndonëse kontraktimet e ish qeverisjes me operatorët ekonomik, kanë lënë këtë sektor, pra infrastrukturën me shumë probleme të pazgjidhura.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi u shpreh se autoritetet komunale po mbikëqyrin në kohë reale ecurinë e punimeve në shumë projekte infrastrukturore dhe se është i pa kompromis fakti dhe bindja e Kryetarit të Komunës, Agim Aliu që çdo projekt infrastrukturor që implementohet në territorin e Ferizajt të realizohet sipas standardeve më të larta profesionale dhe të bazuar në platformën qeverisëse për llogaridhënie dhe monitorim të vazhdueshëm të shpenzimit të parasë publike, në rastin konkret në implementimin e projekteve infrastrukturore.
Po ashtu, në vazhdën e vizitave në terren dhe inspektimeve të punimeve në projekte infrastrukturore, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka vizituar edhe rrugën “Marie Kraja”, rrugë kjo e paasfaltuar por për të cilën u zotua se bazuar edhe në kërkesën e banorëve, qeverisja lokale, do të nis menjëherë procedurat e nevojshme për asfaltimin e kësaj rruge, që për atë zonë paraqet arterie të rëndësishme, për shkak se lidh lagjen me një pjesë të frekuentuar të qytetit.