22,12,2024

INPO: Të anulohet vendimi paraprak dhe të rishikohet Projekt Plani Zhvillimor Komunal

Must Read

Organizata INPO ka reaguar ndaj, siç thotë ajo, shkeljeve ligjore  që po e përcjellin procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt.

INPO vlerëson së ky draft-dokument ka probleme serioze që nga aspekti ligjor e deri te përmbajtja.

‘’Si i tillë nuk është i gatshëm të procedohet për shqyrtim publik për arsye se qytetarët dhe grupet e interesit nuk kanë qenë të përfshirë në fazën e hartimit dhe rrjedhimisht nuk do të mund të kuptojnë dhe vlerësojnë këtë plan’’, thuhet në komunikatën e INPO-s.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të OJQ INPO

Organizata INPO reagon ndaj shkeljeve ligjore  që po e përcjellin procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal.

INPO e ka monitoruar dhe vlerësuar sistematikisht dokumentacionin e planifikimit të hartuar nga komuna, proces ky që në vazhdimësi është përcjellur me shkelje flagrante ligjore, veçanërisht nga procesi i revidimit i planeve rregulluese në zonën I dhe VIII, e deri te procesi i hartimit të Planit Zhvillimor Komunal si dhe vendimit për ta hedhur në diskutim publik.

Vendimi e Kuvendit Komunal 01.Nr-16 për hapjen e shqyrtimit publik për PZHK-në, pas reagimeve të INPO-s, grupeve të tjera të interesit dhe shqyrtimit të detyrueshëm të ligjshmërisë nga ana e ministrisë përkatëse, është vlerësuar të jetë në kundërshtim më ligjin. Rishqyrtimi i këtij vendimi pritet të bëhet në mbledhjen e dytë të KK të konvokuar më 9 mars.

Bazuar në gjetjet e INPO-s, drafti i PZHK-së, nuk është hartuar konform kritereve ligjore, ndaj përmbajtja e tij nuk ofron informacione të qarta, konkrete dhe të kuptueshme për publikun, Madje pjesa dërrmuese e këtij dokumenti prej 500 faqesh, përshkruan gjendjen ekzistuese të sektorëve të ndryshëm komunal, përmban pjesë tekstuale të kontekstit historik nga periudha iliro-romake e deri te Lufta e II-të Botërore pa kurrfarë relevance për llojin e dokumentit.

Gjithashtu përmban  të dhëna të ndryshme në formë tabelore pa asnjë lloj reference apo burimi zyrtar. Ka aty edhe informata të tjera të pakuptueshme dhe pa asnjë lidhje logjike ndër vete duke mos lënë të kuptohen objektivat zhvillimore dhe rëndësia e planeve investuese për 8 vitet e ardhshme të sektorëve komunal.

Përveç këtyre gjetjeve, INPO vlerëson se ky draft-dokument, nuk reflekton zbatimin e obligimeve ligjore të dala nga UA Nr.11/15 mbi elementet dhe kërkesat themelore për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e PZHK-së. Neni 6, pika 1.6 e këtij udhëzimi obligon komunën që në pjesën hyrëse të dokumentit të ofrojë informata për procesin e planifikimit duke përshkruar dhe listuar prezantimet publike, konsultimet dhe debatet tjera me publikun gjatë fazës së hartimit të dokumentit, të dhënat e marra nga qytetarët dhe mënyra e trajtimit të tyre gjatë procesit të planifikimit, si dhe neni 7 i të njëjtit UA, obligon komunën që mbledhjen e të dhënave për ndërtimin e profilit komunal ta bëj në pajtueshmëri më Shtojcën 1 të UA. Mirëpo, draft-dokumenti nuk përmban asnjë të dhënë sipas këtyre obligimeve, madje pothuajse asnjë tabelë e të dhënave sipas Shtojcës 1 të Ua të cilat kanë karakter të detyrueshëm, nuk është e integruar në pjesën e profilit të komunës.

Kësisoj, INPO vlerëson së ky draft-dokument ka probleme serioze që nga aspekti ligjor e deri te përmbajtja. Si i tillë nuk është i gatshëm të procedohet për shqyrtim publik për arsye se qytetarët dhe grupet e interesit nuk kanë qenë të përfshirë në fazën e hartimit dhe rrjedhimisht nuk do të mund të kuptojnë dhe vlerësojnë këtë plan.

INPO i rekomandon Kuvendit Komunal që në seancën e nesërme për pikën e rendit të ditës “Propozim-Vendim për rishqyrtimin e vendimit 01Nr-16 (Vendim hapjen e shqyrtimit publik për Planin Zhvillimor Komunal)”, të marrë vendim për anulimin e vendimit 01.Nr-16 dhe të mos të miratojë vendim tjetër, por të kërkoj nga ekzekutivi që draftin aktual ta harmonizoj me ligjet në fuqi dhe të njëjtin ta rishikojë duke i eliminuar paqartësitë dhe informatat e panevojshme.

INPO i bën me dije anëtarëve të KK-së, se është në mandatin e tyre ligjor që të garantojnë politika të mirëfillta për qytetarët  e komunës dhe se është në dorën e tyre fati i zhvillimit të komunës.

INPO i rikujton autoriteteve komunale se bazuar në aktet ligjore të planifikimit hapësinor dhe praktikat e qeverisjes se mirë, informimi dhe pjesëmarrja e publikut në hartimit e politikave dhe dokumenteve hapësinore është jetike dhe pacenueshme dhe se komuna më tërë kapacitetin e saj duhet të ofrohet në shërbim të informimit sa më të drejtë për dokumentet e planifikimit.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).”

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img