Ferizaj, 21 Qershor 2016 –Iniciativa për Progres “INPO” në Ferizaj me një komunikate për media ka shprehur shqetësim për gjendjen e rrugëve me gropa në këtë qytet.
Gjendja e rrugëve në Ferizaj vazhdon të jetë shqetësuese dhe për këtë arsye organizata Iniciativa për Progres – INPO ka realizuar një aksion simbolik ku janë shenjuar disa pjesë të rrugëve të dëmtuara të qytetit me shenjën e rrezikut. Këto shenja janë bërë me qëllim të njoftimit të qytetarëve për gropat dhe pusetat jo të nivelizuara të cilat mund të shkaktojnë dëme materiale në veturat e tyre dhe rritjes së presionit ndaj institucioneve përgjegjëse komunale për të ndërmarr veprime, për të cilat janë të obliguara ligjërisht, thuhet në një komunikatë lëshuar nga INPO.
Ky aksion vjen pas disa insistimeve nga INPO, që prej muajit Nëntor të vitit të kaluar në drejtim të Komunës së Ferizajt duke kërkuar nga kjo e fundit intervenimin në disa pjesë ku gropat dhe pusetat e pa nivelizuara me rrugën po shkaktojnë probleme për ngasësit e veturave dhe paraqesin rrezik të vazhdueshëm për komunikacionin. Rikujtojmë se me 3 Nëntor të vitit 2015, organizata INPO ka bërë një hulumtim në më shumë se 16 rrugë kryesore të qytetit, duke evidentuar gjendjen shumë të rëndë të disa gjatësive të rrugëve, jashtë standardave minimale të sigurisë. Më e rëndë paraqitet gjendja e rrugës “Bajram dhe Gursel Sylejmani”, rrugë kjo jashtëzakonisht vitale e qytetit, e cila lidhë komunën e Ferizajt me komuna të tjera dhe me një qarkullim të dendur të mjeteve. Ndërsa, institucionet komunale kanë ndërmarr disa veprime selektive të përmirësimit të gjendjes, duke mos arritur që të trajtoj rrugë të tjera vitale të qarkullimit të mjeteve në Ferizaj. Aksioni simbolik i shenjimit të gropave të rrezikshme është realizuar në këto rrugë të qytetit: “Ahmet Kaçiku”, “Driton Islami”, “Vllëzërit Gërvalla”, “Rexhep Bislimi”, “Dëshmorët e Kombit”, “12 Qërshori” dhe “Naim Beka”.
INPO kërkon nga Komuna e Ferizajt, më konkretisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Infrastrukturës, që sa më shpejtë të intervenojë në përmirësimin e gjendjes së rëndë të rrugëve në Ferizaj, duke i rikujtuar se janë qytetarët e Ferizajt të cilët janë të ngarkuar me taksën për automjete, e cila do të duhej të shërbente në ofrimin e një infrastrukture rrugore të denjë për taksapaguesit,përfundon komunikata lëshuar nga INPO.