Ferizaj.20.10.2017. Institucionet e vendit ende nuk e dinë se kush e rrënoi shtëpinë e cila ndodhej në pronë të hekurudhave të Kosovës. Drejtori i ‘’Infrakosit’’ Agron Thaçi, përmes telefonit i tha Televizionit Tema, se rastin kanë nisur ta hetojnë organet e brendshme të këtij institucioni, ndërkaq, sipas tij plaku i cili aty ka jetuar tash e 20 vjet, ka marrë shpesh paralajmërime nga ‘’Infrakosi’’ që duhet ta lirojë pronën e hekurudhave të Kosovës.
“Jemi duke e hulumtuar çështjen e shtëpisë së rrënuar, kush e ka rrënuar, sepse ne nuk kemi dhënë pëlqimin për këtë veprim. E dyta, personi që ka qëndruar në atë shtëpi është uzurpator. Ne më shumë se katër herë i kemi dërguar vërejtje, sepse as nuk ka paguar qira dhe është njësoj si me të hy ty në shtëpi edhe me thënë që s’dal nga këtu. Ne nuk jemi kryq i kuq për me bë zgjidhje. Tjera, ne e kemi një procesverbal nga inspektorati i komunës që kërkon prishjen e shtëpisë, sepse shkakton rrezik për qytetarë dhe shumë lehtë ka mundur të ndodhë ashtu, siç ndodhi një rast në Prizren. Ne jemi ne proces të hulumtimit, duke bashkëpunuar me organet e rendit, normal që edhe është e involvuar Policia”, tha Thaçi.
Në anën tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shkuri Jashari, duke mos dashur të prononcohet para kamerës, i tha Televizionit Tema përmes telefonit se rasti i rrënimit të kësaj shtëpie është i hapur, ndërkaq Policia nuk mund ta mbyllë pa urdhër të prokurorit.
Shtëpia e cila ndodhej në tokën që është pronë e hekurudhave të Kosovës, e që i është lëshuar me qira një biznesmeni ferizajas, është rrënuar të shtunën që lamë pas, nderkaq te gjitha palët deri tani deklaruan se nuk qëndrojnë prapa këtij veprimi./TV Tema