18,11,2024

Inaugurimi-shpikje e presidenti të ri

Must Read

thaci-baner-710x441

Hashim Thaçi ka planifikuar një ceremoni të marrjes së detyrës së presidentit që nuk ka qenë e zakonshme deri më tani në Kosovë. Kjo “shpikje” e tij mund të jetë bërë në tentim për të krijuar figurë të re të burrështetasit pas dy mandatave të kritikuara për dështime e korrupsion sa ishte kryeministër i vendit.

Në dy mandatet e Hashim Thaçit si kryeministër, Qeveria e Kosovës ka qenë jo rrallë e kritikuar për korrupsion e dështime në realizimin e objektivave të veta.

Por, një mandat pesë vjeçar në postin e presidentit të vendit, do t’i japë atij një mundësi të re të krijimit të një imazhi të një burrështetasi që pritet të rrumbullakojë dy dekada karrierë politike.

Këtë mision duket se Thaçi do ta fillojë qysh në ditën e parë të punës pas dhënies së betimit në Kuvendin e Kosovës, përmes organizimit të një ceremonie të marrjes së detyrës që nuk është parë në të kaluarën.

Marrja e detyrës së presidentit të pestë të vendit do të bëhet në sheshin Skënderbeu dhe është paralajmëruar se ai dhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga, do të parakalojnë para Gardës së Nderit të të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilën ai kishte premtuar se do ta transformonte në ushtri qysh para disa viteve.

Përpara tyre, sic kanë treguar këshilltarët e tij, priten të jenë rreth 1200 të ftuar në këtë ceremoni, e cila do të përfundojë me një program artistik.

Që nga mëngjesi e deri në përfundimin e ceremonisë, sheshi do të jetë i mbyllur për qarkullim për shkaqe sigurie.

Në fakt, se do të jetë një president ndryshe, ai kishte paralajmëruar qysh në fillim të muajit të kaluar, vetëm disa ditë pas zgjedhjes në këtë post.

“Do të jetë një presidencë më ndryshe dhe një president më ndryshe”, kishte deklaruar Thaçi.

“[Dita e parë e punës]Mendoj se do të jetë një ditë e veçantë, një ditë e re për Kosovën e re, për Kosovën evropiane”, kishte thënë ai për televizionin shqiptar Top Channel.

Asnjë nga presidentët e Kosovës para Thaçit – Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli e Atifete Jahjaga – nuk kanë bërë ceremoni të tilla pompoze.

Një tjetër ndryshim në mes tij  e presidentëve të tjerë është se zyra e Thaçit së shpejti pritet të zhvendoset në ndërtesën ku aktualisht ndodhet Ministria e Kulturës – në sheshin kryesor të qytetit, Nëna Terezë.

Thaçi konsiderohet si njëri prej njerëzve më të fuqishëm të skenës politike dhe rrjedhimisht pritet të fuqizojë këtë post, krahasuar me pararendësen e tij, Atifete Jahjaga.

Por, zgjedhja e tij në postin e të parit të vendit ka kaluar me probleme. Thaçi është zgjedhur në një seancë ku disa herë është hedhur gaz lotsjellës, derisa qindra protestues kanë qëndruar jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës duke kundërshtuar zgjedhjen e tij.

Për më tepër, tri partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – kishin vendosur tenda në sheshet afër Kuvendit të Kosovës për të bllokuar zgjedhjen e tij.

Pas zgjedhjes, ato dërguam një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithëse gjykata ka vendosur në favor të tij, opozita insiston se Thaçi nuk është figurë unifikuese, ashtu siç kërkohet nga kushtetuta e vendit.

Dhe, vetëm disa ditë pas zgjedhjes, Thaçi filloi të bëjë vizita nëpër vende të ndryshme të Kosovës si për të dëshmuar se është i mirëpritur në të gjitha anët.  Për më tepër, në një intervistë televizive, ai është zotuar se do të garojë edhe për një mandat tjetër presidencial, vetëm se kësaj radhe i zgjedhur direkt nga populli.

Në anën tjetër, partitë opozitare nuk kanë njoftuar për ndonjë veprim të mundshëm për të penguar këtë ceremoni, ashtu siç kishin bërë në ditën kur ai u zgjodh president.

Thaçi u zgjodh më 26 shkurt me 71 vota të cilat i fitoi vetëm në raundin e tretë.  Ai ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e udhëhoqi për rreth 16 vite./Insajderi.com

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img