04,05,2024

I jepet lamtumira e fundit mësimdhënësit dhe sportistit Jusuf Bytyqi

Must Read

Në fshatin Mirash të Ferizajt i është dhënë lamtumira e fundit mësimdhënësit dhe sportistit Jusuf Bytyqi.
Për ti dhënë lamtumirën e fumdit në fshatin Mirash morën pjesë struktura politike të Ferizajt, kryetari Agim Aliu me bashkëpunëtorët e tij, kryesia e Federatës së Volejbollit kryesuar nga kryetari Abedin Ibrahim dhe shumë shokë e bashkëpunëtor të punës dhe të sportit të aktivistit Isuf Bytyqi.


Ndërsa në orët e paraditës në teatrin e qytetit është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së mësimdhënësit dhe sportistit Jusuf Bytyqi.

Drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, Xhemile Murati-Shabani, tha se ndarja nga jeta e profesor Bytyqit, është humbje për ferizajasit.

“Sot jemi mbledhur në këtë mbledhje komemorative të nderojmë jetën dhe veprën e profesor Bytyqit të cilin tinëzisht në moshë relativisht të re e mori vdekja. Familjarët humbën bashkëshortin, prindin e familjarin e dashur që padyshim ishte shëmbëlltyrë e tyre, shkolla mbeti pa profesorin që dha gjithë jetën e tij dije dhe sporti ferizajas me ikjen e profesorit humbi entuziastin që motivonte sportistët”, tha Shabani-Murati.

Për personalitetin e Jusuf Bytyqit folën edhe bashkëveprimtarët e tij.

“Të gjithë sportistët e Ferizajt në sportin e volejbollit kaluan nëpër duart e Jusufit, prandaj është shumë e madhe ajo çka bëri ai për këta volejbollistë dhe sot Ferizaj ka katër ekipe dhe sportistët të cilët dolën nga duart e Jusufit sot janë sportistë të shumë ekipeve të tjera, andaj ne e humbëm një punëtor të madh të volejbollit”, tha Abedin Ibrahimi, kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës.

“Unë kisha fatin të jem nxënës i tij, e kisha kujdestar klase nga klasa e 5-8, e kisha drejtor shkolle për 12 vite dhe më pas për 18 vite edhe koleg, punuam bashkë, profesor Jusufi edhe si mësimdhënës edhe si drejtor, por edhe si koleg ishte bashkëpunues e i vlerësuar, pasnesër do të filloj mësimi dhe Jusufi do të na mungojë ashtu si nxënësve, por edhe kolegëve”, tha Imri Hashani.

“Si bashkëqytetarë tiparet që e karakterizonin ishin dashuria, vullneti, qetësia, mirëkuptimi e vendosmëria, këto dhunti e aftësi intelektuale i prezantoi denjësisht edhe në legjislaturën e parë të Kuvendit të Ferizaj paslufte, tek Isufi asnjëherë nuk është parë zhgënjim apo lodhje, por vetëm vullnet e dashuri për jetën, familjen, kombin, sportin e letërsinë”, tha Gazmend Bytyqi.

Krenarë që e patën u shprehën familjarët e Jusuf Bytyqit.

“Sot me mall dhe dhembje e përkujtojmë babin si një njeri që i kushtohej jetës, ndërsa se ai nuk është në mesin tonë nuk e besojmë, ne si familjarë jemi tej mase krenarë me një njeri si ai”, tha Drilon Bytyqi.

Jusuf Bytyqi ndërroi jetë dje në moshën 61 vjeçare. Ai ishte themelues i klubit të volejbollit në Ferizaj, si dhe mësimdhënës dhe drejtor i shkollës ”Ali Hadri” në fshatin Mirash. Bytyqi ishte marrë edhe me politikë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj: Arrestohen katër shtetas të RMV-së, tre për gjuajtje me armë e një me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt i ka arrestuar katër persona me shtetësi maqedonase, ku tre prej tyre...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img