24,12,2024

I jepet lamtumira e fundit ish punonjësit të Spitalit të Ferizajt e veprimtarit të dalluar, Selim Hyseni

Must Read

Mesditën e sotme, në ambientet e Teatrit “Adriana” nën organizimin e Komunës së Ferizajt dhe ish kolegëve nga Spitali Rajonal në Ferizaj, u mbajt mbledhje komemorative, në kujtim të jetës së veprës së bashkëqytetarin tonë, ish punonjësit të Spitalit të Ferizajt, veprimtarit të dalluar, Selim Hyseni, që sot u nda nga jeta.

Në një fjalë rasti, Kryetari i Komunës, Agim Aliu ngushëlloi familjen Hyseni, ish kolegët e miqtë e të ndjerit, duke vënë në spikamë, vlerat që dalluan veprimtarinë e karakterin e të ndjerit, Selim Hyseni.

“Ky moment i rëndë nga mblodhi sot. Na mblodhi për mort, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, njeriut të rrallë, ish punonjësit të Spitalit të Ferizajt, të dalluarit, bashkëqytetarit tonë, Selim Hyseni. Janë të rënda këto momente për të gjithë, për familjen që humbi të shtrenjtin familjar, për ne që humbëm një mik të çmuar, për qytetin që humbi një qytetar të përkushtuar e profesionist që e spikat epërsia e virtyteve njerëzore. Jemi zemërthyer, ike herët miku im Selim! Ike pa na dhënë lamtumirën në dritën e diellit. Ike me buzëqeshjen që më dhe dy javë më parë në takimin që patëm bashkë. Sa e rëndë, sa trishtim, sot të flasim për ty që më nuk jeton, miku im. Selimi ishte shok në gjithë kuptimin e plotë të fjalës, ishte mishërim i sinqeritetit, rreze e dashurisë që e shpërndante për të gjithë pa dallim, një shembull që rrezatonte gjithnjë pozitivitet, energji të pashtershme, profesonalizëm të lartë e virtyte të pashoqa njerëzore. Të ndihmoj të tjerët, t’i gjendet afër gjithsecilit që i qasej, të shkrinte gjithçka nga vetja, ishte misioni njerëzor i mishëruar në trupin e mendjen e Selim Hysenit. Miku im i amshueshëm! Atje nga lartë, ku shpirti yt na sheh, jemi ne këtu që do ta bartim në zemër e në mendje, për breza, kujtimin tënd, veprën tënde që shndrrit bardhësi e mirësi. Jemi të gjithë të pikëlluar. Vdekja bëri veprën e saj, pa mëshirë për dhembjen që na shkaktoi. Rrezet e diellit tani më do të ngrohin vetëm kujtimin e tij. Selim Hyseni ishte ferizajasi që nuk u mposht asnjëherë. As nga sfidat e jetës, as nga kërcënimet e sëmundjes që i mori jetën. Ishte kokëlartë gjithnjë, i gatshëm të dal në mejdan, me gjithë kurajon njerëzore, me gjithë forcën e pathyeshme të dinjitetit, me gjithë zemrën e tij të pastër, e mendjen e tij të pasur. Ferizajt iu shkëput një yll mëngjesin e sotëm. Ferizaj njohu kalibrin e tij njerëzor e intelektual, në detyra të ndryshme publike që dha kontribut i ndjeri. Selim Hyseni skaliti veprën e tij me kontributin e çmueshëm e të paharrueshëm në detyra e funksione publike, si mësimdhënës, menaxhues në Kombinatin e Drurit, inspektor financiar në Komunën e Ferizajt, aktivist i dalluar politik që me veprimtari sakrifikuese e të shquar atdhetare dha djersën e kontributin e tij, për të mbajtur gjallë aktivitetet publike, në kohët më të rënda të Kosovës, puna e kontributi i tij në Rilindjen Demokratike të Kosovës, të qenurit asambleist i Kuvendit të Komunës së Ferizajt e më pas edhe Drejtor i Financave në Spitalin Rajonal të Ferizajt, vepra këto që do të jetojnë sa të jetë jeta, duke bërë krenarë familjen, shoqërinë e gjithë qytetin tonë. Morti nuk i lë vend fjalës, janë emocionet njerëzore, lidhja e pashmangshme miqësore, që mund gjithnjë fjalën. Jam pa fjalë, me dhembje e zemërthyer, që sot humba një mik, një bashkëqytetar, një shembëlltyrë të njerëzillëkut e kurajos, të pamposhturin, dinjitozin, të buzëqeshurin e të dashurin për të gjithë, mikun tim Selim Hyseni. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. Dritë pastë shpirti i tij, në paqen e paskaj! Ngushëllime familje e respektuar Hyseni, ish kolegë, miq e të njohur të të ndjerit” tha në fjalën e tij, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Me fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan edhe Dr. Hysen Demelezi, Dr. Nehat Baftiu dhe vajza e të ndjerit, Emira Sallahu.

I ndjeri, Selim Hyseni ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, gjersa varrimi i të ndjerit u bë pasditen e sotme në varrezat e fshatit Bibaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img