Hoxha tha se ministria ka ndërmarrë të gjitha hapat për zbardhjen e këtij rasti. Ajo tha se është përpjekur që mos të ndërhyjë në këtë rast për t’i dhënë hapësirë institucioneve përgjegjëse që të hetojnë vdekjen e Astritit.
“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime të cilat vetëm sa kanë nxitur opinionin publik duke u nxituar me përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria, si dhe edhe pas daljes së Prokurorisë me raportin zyrtar. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet që paragjykojnë punën e institucioneve dhe që shfaqin mosbesim ndaj kësaj pune. Ne gjatë gjithë kohës po kërkojmë sundim të ligjit, transparencë dhe llogaridhënie. Konsideroj, se të besojmë në institucionet tona është më e pakta që duhet të bëjmë në këto rrethana”, ka thënë ministrja Hoxha.
Si Ministre e Drejtësisë, Hoxha ka garantuar se ministria që ajo drejton ka bërë çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit, por me kujdes që të mos dëmtohet procesi dhe të mos ndërhyhet në punën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura.
Ajo përmendi raportin e inspektoratit, ku është thënë se ka pas negligjencës së stafit, me çka ministria ka ndërmarr masa ndaj zyrtarëve në këtë burg.
.