20,11,2024

Hoxha: Për pronat vendosim vet si shtet

Must Read

Ajo tha se me vendimin për kalimin në pronësi të Kosovës të pronave të paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, qeveria e Kosovës ka vepruar “njëjtë sikurse edhe të gjitha ish-republikat e ish-Federatës jugosllave”.

Deklaratat e ministres Hoxha pasuan reagimet e zyrtarëve të Qeversisë së Serbisë dhe të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që e cilësuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për pronat e paluajtshme si “të jashtëligjshëm”

“Për pronat në territorin e Republikës së Kosovës kemi pavarësi të plotë, kemi sovranitetin dhe nuk ka nevojë të bisedojmë me askënd tjetër. Është çështje që si shtet e vendosim vetë. Sikurse ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë e kanë përdorur të njëjtën praktikë”, tha ministrja Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës me një vendim të saj të para dy javëve ka vendosur që të gjithë pronën e patundshme të regjistruar në emër të RSFJ-së, Republikës së Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, ta kalojë në pronësi të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit në këtë pronësi përfshihen patundshmëritë shtetërore, administrative, ushtarake dhe të organizatave shoqëroro-politike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, që ka nisur këtë proces, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo çështje është dashur të përfundojë që ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.

Kelmendi ka thënë se shumica e komunave në Kosovë janë ‘përballur me problemin e zhvillimit të hapësirave ekonomike sepse parcela të caktuara i kanë takuar Ushtrisë së Jugosllavisë’.

Por, vendimi i qeverisë së Kosovës për pronat e patundshme është parë si i ’jashtëligjshëm’ nga zyrtarë serbe dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha të mërkurën se do t’i “propozojë qeverisë së Serbisë ta anulojë vendimin e ‘jashtëligjshëm’ të autoriteteve në Prishtinë për përvetësimin e pasurisë së Serbisë, me të cilin duan ta legalizojnë ‘grabitjen’”.

Gjuriq që takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për kalimin në pronësi të saj të pronave të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, tha se “qeveria e Serbisë sikurse në rastin e ligjit për Trepçën të cilin e ka anuluar, ka arritur që me sukses të mbrojë interes kombëtare kur Prishtina deshi ta rrëmbente kombinatin”.

“Konsideroj se është me rëndësi që bashkësia ndërkombëtare konkretisht, me vendosmëri dhe qartë të deklarohet për çështjen e këtij akti kriminal dhe vendimi kriminal, siç kanë bërë edhe në rastin e përpjekjes për të krijuar në territorin e krahinës sonë jugore, të ashtuquajturën ’ushtri’”, ka thënë Gjuriq.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ndërkaq ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për regjistrimin në pronësi të saj të të gjithë pronës që dikur ishte në pronësi të RSFJ-së, Serbisë dhe Krahinës Autonome, “është represiv dhe ai duhet menjëherë të tërhiqet”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është tendencioz dhe paraqet përpjekje që përmes vendimeve të institucioneve të Kosovës të vazhdohet represioni mbi popullatën serbe në Kosovë dhe Metohi, me marrjen e pasurisë shoqërore e private të popullit serb”, ka thënë Simiq, citojnë mediat serbe.

Por, ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha tha se serbët e Kosovës mund të kenë opinionet e tyre, por vendimet I merr qeveria e Kosovës.

“Ata mund ta konsiderojnë ose të kenë opinionet e tyre. Por, në Republikën e Kosovës vendos Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ne kemi marrë vendim krahas ligjeve në fuqi”./REL

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img