Ferizaj.08.06.2017.Koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa mbajti të enjten tubim zgjedhor në Ferizaj, ku shpalosën programin qeverisës dhe prezantuan kandidatët për deputet në Kuvendin e Kosovës.
Kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Avdullah Hoti, tha se Ferizaj është qyteti me shpirt të ndërmarrësisë dhe bizneseve të ndershme.
Ai u zotua se programi qeverisës i koalicionit ofron zhvillim të hovshëm ekonomik, punësim, të ardhura dhe rritje pagash.
“Ne kemi arritur rritjen ekonomike 4 për qind. Këto janë zotime besë dhe shpresë. Unë e kam parë në terren nevojën për ndryshim. Ju garantoj se vetëm ky koalicion do të shërbejë me ndershmëri dhe nuk rrahim gjoks, as kërkojmë pozita, por ne punojmë. Besoni se ne do ta integrojmë Kosovën dhe ne do ta bëjmë ushtrinë së bashku me NATO”, ka thënë ai.
Për më tepër, Hoti është zotuar se qeverisja e ardhshme e këtij koalicioni do të stopojë burimet korruptive, duke thënë se nuk i shantazhojnë investitorët.
Kryetari i LDK, Isa Mustafa, ka thënë se koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka ofertën për zhvillimin më të mirë ekonomik dhe zhvillim të demokracisë.
“Kush është më i forti? Avdullah Hoti. Ferizaj e ka kuptuar se ky koalicion e zhvillon vendin. Sepse ne kemi ofertën më të mirë për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të demokracisë. Ne nuk synojmë që problemet me Serbinë t’i zgjidhim nëpër fushata, por në qeveri dhe kuvend. Ne kemi dhënë shembull të qeverisjes si në nivel qendror, ashtu edhe atë lokal”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka kërkuar votën e qytetarëve ferizajas në mënyrë që më 11 qershor koalicioni LDK-AKR-Alternativa të shënojë fitore.
“Është e nevojshme vota juaj për të filluar punën për zhvillim ekonomik, rritje ekonomike 8 për qind dhe ulje të taksave për bizneset. Reduktimi i importeve nga Serbia 50 për qind. Infrastruktura hekurudhore dhe elektrifikimi i tyre. Program për edukim, shëndetësi dhe rrije ekonomike. Ndarje të gjyqësisë nga politika. Dhe besoj shumë se në mandatin tonë do të rrisim njohjet për shtetin dhe të anëtarësohemi në OKB. Andaj, jemi një koalicion dinjitoz për ta çuar Kosovën përpara”, ka thënë Pacolli.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se nga dita e hënë i hapet rruga Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe çrrënjosjen e korrupsionit me fitoren e LDK-së.
“Rritjet shtetndërtuese të Kosovës do te definohen pas tre ditësh.Koalicioni i shpresës është përgatitur për të fituar këto zgjedhje.Me ardhjen e Dr Avdullah Hotit në krye të qeverisë do të hapet rruga e qeverisjes me duar të pastërta.Ferizajasit prej kohësh e kanë dëshmuar përkrahjen dhe vizionin e Rugovës që e kanë shndërruar në udhërrefyes për fitore të reja.Komuna e Ferizajt gjatë mandatit qeverisës të Isa Mustafës kishte rritjen më të madhe që nga paslufta. Ju Isa Mustafa ishit i vetmi që kthyet kokën nga Ferizaj dhe ndihmuat zhvillimit ekonomike. Gjatë qeverisjes suaj rritja e bizneseve arriti mbi 70 %. Nuk ka asnjë dyshim që vazhimësia e suksesshme e kësaj qeverisje do të jetë qeverisja e Dr Avdullah Hotit” ka thënë Muharrem Svarqa.