Një ditë pas kthimit nga Brukseli kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se vetëm disa javë apo muaj e ndajnë Kosovën nga liberalizimi i vizave.
Haradinaj këtë deklaratë e dha gjatë vizitës që bëri sot në Odën Ekonomike të Kosovës, me ç’rast u takua me kryetarin e ri të këtij institucioni, Berat Rukiqin.
Haradinaj pas takimit u shpreh se pas marrjes së rekomandimit pozitiv dje nga Komisioni Evropian kanë mbetur edhe disa aspekte implementuese drejt lëvizjes së lirë.
“Kosova ka kryer plotësisht kriteret për liberalizim është edhe një aspekt implementues procedural, është për të gjitha vendet jo vetëm për Kosovën kështu ka ndodhur, pra janë disa javë apo pak muaj deri në finale , por unë jam i sigurt që jemi në rrugë të drejtë se do i kryejmë punët pra edhe këtu i kemi kryer që dje me u than që është me meritë, por do t’i kryejmë punët edhe deri në ditën kur do të lëvizim të lirë“, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj tha se Qeveria që ai drejton janë të hapur të bashkëpunojnë me Odën Ekonomike të Kosovës me qëllim që të ndihmojnë prodhuesit vendor.
“Si Qeveri e vendit vërtetë e konsiderojmë Odën Ekonomike partner, jemi të hapur që të bashkëpunojmë, të marrim krejt propozimet e mundshme që ndihmojnë biznesin që ndihmojnë sipërmarrësit, që ndihmojnë prodhuesit, që Kosova të lëvizë pra përpara në rritjen ekonomike. U fol për liberalizimin e vizave kuptohet që ndihmon edhe qarkullimin edhe të mallrave se kur njerëzit lëvizin, lëvizin edhe mallrat”, tha Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për zonat ekonomike për të cilat tha se përmes tyre Qeveria i ka dhënë mundësi zhvillimit ekonomik në vend.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, Berat Rukiqi duke falënderuar kryeministrin për vizitën tha se tani është koha që prioritet t’i vihet zhvillimit ekonomik.
“Falënderoj për partneritetin që i dha Odës Ekonomike të Kosovës që në mënyrë shumë të hapur, në mënyrë shumë të drejtpërdrejtw t’i trajtojnë problemet, sfidat edhe problemet dhe propozimet që mund ta avancojnë sektorin privat”, ka thënë Rukiqi.
Must Read