Pasi kryeministrit Ramush Haradinaj ditë më parë i është lëshuar viza britanike, edhe SHBA i dha vizën atij. Këtë e ka konfirmuar sot zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi, ndërsa Gazeta Express raportoi të premtën, se ambasada amerikane kishte vendosur ta pajis Haradinajn me vizë, pasi kryeministri u tërhoq nga ideja e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.
Por, kjo çështje mori fund pasi i pari i ekzekutivit sot ka marrë vizën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet që të udhëtojë së shpejti për të qenë pjesë e Lutjeve të Mëngjesit më 8 shkurt në Uashington.
Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën, Donjeta Gashi, zëdhënësja e Qeverisë në një lidhje direkte në Info Magazine.
Vetë Haradinaj kishte thënë përmes një postimi në Facebook se i ishte nënshtruar të gjitha procedurave të rregullta dhe se po priste vizën, si gjithë qytetarët.
“Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, kishte shkruar para disa ditëve kryeministri./Express/