18,11,2024

Haradinaj konfirmon se deputetja Teuta Rugova do t’ia japë votën për kryeministër

Must Read

Rrjedhimisht, në një deklaratë që kreu i AAK-së nisi për media, ai lë të kuptohet se deputetja e LAA-së Teuta Rugova, vajza e presidentit Rugova, do ta votojë Haradinajn për kryeministër, ndaj mandatari i PAN-it ka ftuar që një gjë të tillë ta bëjnë edhe dy drejtuesit e koalicionit LAA, Isa Mustafa i LDK-së dhe Behgjet Pacolli i AKR-së.  

Kjo është deklarata e plotë e Ramush Haradinajt: 

Është nder i veçantë për mua që sot isha mysafir në Familjen e nderuar të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe njësoj si në vitin 2004 kur ishte nevoja e bashkimit të forcave për unitet politik, përballë sfidave të kohës, Presidenti Rugova pa hezitim theu paragjykimet për të kapërcyer ndasitë artificiale të atëhershme dhe për t’i dhënë fund armiqësive absurde mes shqiptarëve dhe me dha mbështetjen për Kryeministër të Republikës së Kosovës, edhe sot u ndjeva njëjtë kur mora mbështetje për misionin tonë të përbashkët të ndërtimit të shtetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës nga Familja e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. 

Historia e re e Kosovës është histori e afrimit dhe besimit në mes njerëzve, rezultat i luftës, sakrificës, mirëkuptimit dhe tolerancës. Këtë strategji kombëtare e ndiqte presidenti dr. Ibrahim Rugova, për te bërë shtetin dhe qeverinë e Kosovës. Tani e kemi shtetin tonë te pavarur të Kosovës, por këtë shtet duhet zhvilluar, ndërtuar dhe integruar në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar. Ky edhe ishte përkushtimi dhe amaneti i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me të cilin bëmë koalicion qeverisës në Nëntor të vitit 2004, duke besuar thellësisht në vlerat kombëtare, patriotike dhe integruese. Bashkëpunimi me familjen Rugova u vazhdua edhe më vonë, kur Ukë Rugova kandidoi i renditur në vendin e dytë në listën e përbashkët AAK-Lista Ibrahim Rugova. Bashkëpunimi me këtë familje të nderuar nuk është ndalur për asnjë moment, andaj sot në frymën e afrimit dhe filozofisë së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ne po e konfirmojmë mbështetjen, bashkëpunimin e përhershëm dhe respektin e ndërsjellët.  Unë si i nominuar për kryeministër të Republikës se Kosovës, me kënaqësi e pranoj mbështetjen e familjes emblematike të Presidentit Rugova dhe zotohem që do të bëj ç ‘mos për ruajtjen e vlerave dhe mësimeve të Presidentit Rugova, për ruajtjen e miqësisë të përhershme me SHBA-të, BE dhe NATO. Objektivat e përhershme për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, të integruar në familjen evropiane, për lëvizje të lirë të qytetarëve të saj, për sundimin e ligjit dhe rendit, do të jenë prioritete në agjendën e qeverisjes sime!

Gjithashtu, do të kemi respekt dhe kujdes të veçantë për familjet emblematike dhe legjendare, siç është familja e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, familja Jashari si dhe familjet e tjera që sakrifikuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.

Shfrytëzoj rastin që nga kjo shtëpi, t’i bëj ftesë të gjithë atyre që përqafojnë idetë e Presidentit Rugova, e në veçanti kreut të LDK-së Isa Mustafa dhe presidentit të AKR-së z. Behgjet Pacolli, që të mbështesin formimin sa më të shpejt të qeverisë së vendit dhe bashkimin e forcave shtet-formuese, për të përshpejtuar agjendën e forcimit të Republikës se Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

Zoti e bekoftë përjetësisht jetën dhe veprën e Presidentit historik Dr. Ibrahim RUGOVA! 

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img