17,11,2024

Haradinaj: Demarkacioni s’ka qenë i lehtë për mua, por s’po mund ta shoh popullin të izoluar

Must Read

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Koalicioni qeverisës dhe LDK thuhet se i kanë siguruar 79 vota dhe janë në kërkim edhe të një vote.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në pajtim me të gjitha grupet parlamentare përfundimisht vendosi që vazhdimi i seancës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi të mbahet të martën me datën (20.03). Seanca ishte thënë se mund të mbahet këtë të premte, por u shty për datën 20.03 me arsyetimin e mungesës së disa deputetëve, të cilët, thuhet se janë jashtë vendit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ai pret që deputetët e kuvendit të Kosovës të reflektojnë dhe ta mbështesin ligjin e demarkacionit, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të dalin nga izolimi dhe të lëvizin lirshëm në zonën shengen. Shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi është kusht i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i lehtë, por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës”, tha Haradinaj.

Vetëm gjatë këtij viti, parlamenti i Kosovës tentoi tri herë që ta ratifikojë këtë marrëveshje, por nuk arriti ta kalojë, sepse kishte mungesë të votave.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi Filip Vujanoviq. Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

A do të arrihen 80 vota?

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 80 vota, nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Por tash për tash akoma është e paqartë nëse koalicioni qeverisës që mbështetet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka 80 votat e nevojshme. 79 vota koalicioni qeverisës dhe LDK thuhet t’i kenë siguruar, pasi një deputete e lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, iu bashkua AAK-së së kryeministrit Haradinaj. Por, mbetet të shihet deri të martën nëse është arritur të sigurohet edhe një votë për ta arritur numrin e nevojshëm prej 80 votave që të kalojë demarkacioni. Lëvizja Vetëvendosja dhe lista Srpska, deri tash janë deklaruar kundër marrëveshjes.

Lëvizja Vetëvendosja pretendon se Kosova me këtë marrëveshje aktuale humb territor. Vetëvendosja kërkon që “fillimisht të korrigjohen gabimet e bëra në shënjimin e kufirit me Malin e Zi e pastaj të ratifikohet marrëveshja”. Ndërsa për listën Srpska, “me e rëndësishme është që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, sesa ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi”.

“Për Listën Serbe prioritet është formimi i Asociacionit të Komunave serbe (AKS) në Kosovë, e jo çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Demarkacioni është me rëndësi për shqiptarët e Kosovës, por për serbët në Kosovë shumë më i rëndësishëm është formimi i AKS-së dhe avancimi i pozitës së serbëve në Kosovë”, thotë Igor Simiq nga grupi parlamentar Srpska.

Zyra e BE-së në Prishtinë, ndërkaq, e ka mirëpritur marrëveshjen e dy presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, që mundësoi që demarkacioni të procedohet në kuvendin e Kosovës.

“Po presim që suksesshëm dhe shpejt të ratifikohet marrëveshja e diskutuar gjatë në demarkimin me Malin e Zi që do t’i sjellë qytetarëve të Kosovës të gëzojnë mundësinë për lëvizje të lirë”, është shprehur shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img