Galeria e Arteve në Ferizaj, në bashkëpunim me SHAF “Zef Kolombi” ka hapur konkursin për Bienalin e tretë të Vizatimit. Bienali ka karakter ndërkombëtar dhe të drejtë konkurrimi kanë artistët nga të gjitha vendet. “Ky është edicioni i tretë i bienales. Vizatimi është një ndër disiplinat më të vështira dhe bazë e çdo arti pamor, dhe neve na ka provokuar që të bëjmë një bienale. Interesimi ishte i madh në dy edicionet e kaluara dhe njëjtë besojmë që do të jetë edhe këtë vit sepse është një disiplinë që rrallë e ekspozojnë artistët”, ka thënë udhëheqësi i Galerisë se Arteve në Ferizaj, Skender Bedriu, për KultPlus. Ky konkurs ka edhe rregullat e veta.
Artistët duhet të konkurrojnë vetëm me punimet në teknika të ndryshme të vizatimit. Artistët kanë të drejtë të konkurrojnë me më shumë se një punim dhe në punime nuk duhet të shkruhet emri ose mbiemri. Gjithashtu punimet duhet të dorëzohen të pakornizuara. Tema për këtë konkurs është e lirë dhe formati nuk është i kufizuar. “Ky edicion dallon prej dy edicioneve të tjera sepse formati është më ndryshe. Një artist mund të konkurrojë me më shumë se një punim. Gjithashtu mund të përzgjidhen më shumë se një punim, varësisht nga koncepti dhe përzgjedhja e komisionit”, ka thënë tutje Bedriu.