Ferizaj.24.10.2016. Në një takim të medieve lokale të Ferizajt me zëdhënësin e KEDS-it Viktor Buzhala dhe Drejtorin e distriktit të Ferizajt, Berat Lahu,u bë e ditur se tani e tutje mediet lokale për punën e KEDS-it, punën dhe furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike mundë të informohen edhe nga distrikti i Ferizajt.
Kjo sipas Buzhalës po bëhet për një informim më të shpejt të konsumatorëve, ku përmes këtij bashkëpunimi me mediet lokale do të trajtohen tema dhe informata për qytetarët e këtyre pjesëve të cilat janë të rëndësishme për ta.
“KEDS pas konsolidimit si kompani është duke bërë edhe zgjerimin e aktiviteteve e në kuadër të kësaj edhe komunikimin sa më të afërt me konsumatorin. Për faktin se mediet rajonale janë më afër qytetarit dhe konsumatori, ndërtimi i bashkëpunimit KEDS-Media sigurisht se është në të mirë të qytetarëve. Kjo do të mundëson arritjen e informative më shpejt tek konsumatori e sidomos në kohën kur janë duke u zhvilluar punime të riparimit të rrjetit” tha Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it
Edhe Drejtori i Distriktit të Ferizajt, Berat Lahu është shprehur I gatshëm për bashkëpunim dhe në çdo kohë të ofroi informata që do të jenë në interes të qytetarëve dhe konsumatorëve të energjisë elektrike.
“Në punën tonë të përditshme kemi shumë punë dhe obligime për të realizuar por një kohë do ti ndahet edhe medieve për një plasim të informatave. Përmes kësaj do të njoftohen konsumatorët për investimet, për rregullimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe gjërave me interes për konsumatorin. KEDS ka bërë një plan operativ për revizionimin e rrjetit ku edhe do të ketë ndërprerje të energjisë për shkak të sigurisë së punëtorëve. Krejt kjo ka për qëllim riparimin e rrjetit para kohës së dimrit kur do të rritet shpenzimi i energjisë në mënyrë që atëherë të mos kemi probleme “ tha Berat Lahu Drejtor i Distriktit të Ferizajt.
Me këtë rast Lahu bëri të ditur se KEDS gjatë një muaji do të shfrytëzoi në maksimum që kohën e planifikuar për riparime nga KOSTT në Ferizaj të bëhet edhe revizionimi i rrjetit në ato pjesë.
“Operatori i transmisionit KOSTT do të kryej punimet e veta në riparimet e aseteve të tij e ku do të ketë ndërprerje të energjisë. Në kuadër të kësaj ne si KEDS kemi planifikuar që të kryejmë riparimet e nevojshme dhe të domosdoshme të pjesës që na takon ne. Gjatë kësaj kohe me ndërprerje të energjisë do të përballet Qendra e qytetit por ne si KEDS jemi duke bërë përpjekje që të sigurojmë furnizim alternative në mënyrë që këto pjesë të furnizohen me energji elektrike” tha Lahu
Me këtë rast Buzhala tha se KOSTT (Operator i Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike) është kompani publike e cila merret me transmetimin e energjisë elektrike dhe ne duhet të respektojmë këtë hierarki por njëkohësisht do të shfrytëzojmë këtë që të kryejmë riparimet e nevojshme në këto pjesë.
Deri më tani këto informata ishin të centralizuara dhe për gjithçka, çoftë edhe prishja apo ndërprerja më e vogël e energjisë, informatat duhej të merreshin në qendrën e informimit në Prishtinë.