Sonte, nën tingujt e muzikës dhe pjesëmarrjen e artistëve, dashamirëve të artit dhe kulturës, drejtuesve politik dhe të biznesit në Ferizaj, u hap edicioni i ri i festivalit unik në vend, Festivalit të Muraleve.
Në këtë ngjarje të veçantë kulturore, mori pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga nënkryetari Naim Ferati, drejtoresha e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani si dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Me këtë rast, duke uruar fillimin e edicionit të sivjem të këtij festivali, Kryetari i Ferizajt u shpreh “Ferizaj është kryeqendër e kulturës. Sonte, bashkë me artistë vendor dhe ndërkombëtar po hapim edicionin e ri të Festivalit të Muraleve në Ferizaj, ide që buroi nga simbolika e vet qytetit tonë, qyteti që identifikohet me murale. Dalëngadalë, kaosin urban po e zëvendësojmë me shumë ngjyra, mesazhe e optimizëm përmes tablove që rezultojnë nga puna e të angazhuarve në këtë festival. Dua të falënderoj organizatorët, veçanërisht vajzat e djemtë e rinj që po i japin ngjyrë qytetit tonë, duke zëvendësuar tymnajën gri industriale, me vepra shumëngjyrëshe shpresëdhënëse që përmes artit të japim mesazhin e duhur edhe tek qytetarët, të vijëzojmë projektin estetik e mesazh dhënës të qytetit dhe të kultivojmë shijen e së bukurës dhe kujdesit ndaj të përbashkëtës. Urime edicioni i ri i Festivalit të Muraleve” theksoi Kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Edhe drejtoresha e këtij festivali, Lebibe Topalli Shabani uroi mirëseardhje për të gjithë të pranishmit duke u shprehur falënderimin për mbështetjen e të gjithë donatorëve, me ç’rast prezantoi edhe punën e artistëve që do të realizohet ditëve në vijim në disa hapësira publike si dhe elaboroi tematikën e këtij edicioni të festivalit.
Temë e këtij edicioni të festivalit është antikorrupsioni.
Në këtë ngjarje kulturore përveç artistëve vendor po marrin pjesë edhe artistë ndërkombëtar. Risi e edicionit të tretë të këtij festivali është edhe hapja e galerisë urbane me fotografitë e fotografit të mirënjohur ferizajas Hazir Reka, me temë antikorrupsionin, ekspozitë kjo që do të hapet në pjesën e nënkalimit kryesor. Gjithashtu, risi tjetër e këtij edicioni janë edhe punimet 3D, punëtoria me të rinj për zhvillimin e fotografisë, si dhe kolonia artistike ku pjesëmarrës janë artistë nga qytete të ndryshme të vendit si dhe artistë nga rajoni.
Ky festival organizohet për të tretin vit me radhë dhe mbështetet financiarisht nga Komuna e Ferizajt dhe donatorë të tjerë.