Hapet biblioteka në qendër të Ferizajt
Ferizaj. 02.02.2018. Pavarësisht kohës, me diell, me shi apo me borë, kjo bibliotekë me tituj të ndryshëm do të qëndroj e hapur në qendër të qytetit të Ferizajt që nga ora 8:00 deri në orën 20:00. Kjo iniciativë e marrë nga organizata joqeveritare Ri’Fer, u tha se synon që të rinjve t’ua lehtësoj gjetjen e librave për lexim.
“Ky aktivitet ka filluar me idenë e vullnetarëve tanë të organizatës joqeveritare Ri’Fer, arsyeja e këtij aktiviteti është që të rinjtë tanë të marrin libra t’i lexojnë dhe pastaj t’i kthejnë prapë, ne jemi mundur që këtë ide ta realizojmë sa më mirë, në mesin e bibliotekës ka tituj të ndryshëm të autorëve të ndryshëm dhe janë pa pagesë”,tha Driton Nuha, drejtor i organizatës Ri’Fer.
Kjo iniciativë i pëlqeu edhe drejtoreshës së Kulturës në Ferizaj Xhemile Muratit- Shabanit, e cila u zotua se drejtoria që ajo udhëheq do të mbështes idetë e tilla që janë në të mirë të komunitetit.
“Ky aktivitet është një mesazh shumë i mirë për të rinjtë e Ferizajt që libri është gjëja më e shtrenjtë që na pasuron me dije, prandaj përmes kësaj biblioteke të hapur mendoj se qytetarët e Ferizajt konkretisht të rinjtë e kanë mundësinë që të huazojnë këto libra të cilat janë të ndryshme, t’i marrin ato, t’i lexojnë dhe t’i kthejnë pastaj”,tha Xhemile Murati-Shabani.
Përfaqësues të kësaj organizate joqeveritare Ri’Fer, që përbëhet prej më shumë se 40 të rinjve vullnetarë, thanë se kjo bibliotekë në vazhdimësi do të pajiset me tituj të rinj.