Një 57-vjeçar nga Durrësi është deklaruar fajtor nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka dënuar me 2 vjet me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale, pasi akuzohet se ka mashtruar një shtetas kosovar, me pretendimin se do i gjente nuse.
I dëmtuari është shtetasi Zeqir Selimi, i cili e ka denoncuar ngjarjen më 28 gusht të vitit të kaluar, duke akuzuar për mashtrim shtetasin Agim Zakova, nga Shënavlashi i Durrësit. Sipas vendimit të Gjykatës, rezulton e provuar se më 28 gusht 2017 është marrë një kallëzim nga shtetasi Zeqir Selimi, i cili pretendonte se kishte ardhur në Shqipëri dy ditë para denoncimit, me autobusin e linjës Mitrovicë-Durrës dhe prej aty ka marrë furgonin për të ardhur në Tiranë.
Ai ka qenë i shoqëruar me një shokun e tij. I dëmtuari ka shpjeguar se arsyeja e mbërritjes në Tiranë ka qenë fakti se ai ishte takuar me një shtetas kosovar, të cilin nuk e njihte, në një kafe në Mitrovicë, me të cilin në muhabet e sipër kur i ka thënë se është vetëm dhe i ka vdekur gruaja, ai i ka dhënë një numër telefoni të një personi, për të cilin i ka thënë se quhej Agim dhe që jetonte në Durrës (ky person ishte i pandehuri Agim Zakova).
Dy ditë përpara se të vinte nga Mitrovica në Tiranë, ai e ka telefonuar nga numri i tij që përdor në Kosovë. Në telefon i ka shpjeguar rrethanat e tij dhe i ka shprehur interesin për të pasur një grua. “Agimi Durrës” i ka thënë: “Hajde në Tiranë dhe do ta gjej unë një grua”. Më datë 26 gusht Zeqiri ka mbërritur në Tiranë nga dreka dhe nëpërmjet një telefoni që ia dha dikush, ka marrë në telefon Agimi Zakovën e janë takuar te sheshi “Shqiponja”.
Prej aty kanë marrë autobusin e qytetit të tre, i dyshuari bashkë me të dëmtuarin dhe një shokun e tij, dhe kanë shkuar në një banesë. Në atë banesë, përveç këtyre të treve i kanë pritur disa persona që u prezantuan si gruaja, me të cilën Zeqiri do martohej, ishte një femër tjetër që i ishte prezantuar si motra e saj dhe dy meshkuj që i janë prezantuar si vëllezërit, raporton “Panorama”.
Aty kanë folur të gjithë dhe janë prezantuar, duke rënë dakord dhe janë pëlqyer. Aty personi që i ishte prezantuar si vëllai i madh dhe Agimi, e bënë për hajër dhe i kanë thënë Zeqirit se ishte traditë të linte 50 euro në kafe dhe t’i jepte 20 euro motrës së vet, se del me shoqe dhe nuk ka lekë. Zeqiri i ka hedhur 50 euro në kafe dhe kur ka dalë, i ka dhënë edhe 20 euro gruas që u prezantua si motra e asaj që do merrte për grua. Atë pasdite vonë, në një dyqan, Zeqiri ka blerë një numër shqiptar.
Të nesërmen paradite, më datë 27 gusht, e ka telefonuar Agimin për t’u takuar në mënyrë që të merrte gruan, të cilën i kishin premtuar, pasi numrin e saj nuk e kishte sepse ajo nuk ia kishte dhënë. Kur janë takuar, Agimi i ka thënë: “Për të marrë gruan që të prezantova, duhet të japësh 600 euro në dorë dhe e merr me vete në Kosovë, ndryshe nuk ke për ta marrë”. Zeqiri nuk i ka pasur aq para me vete dhe i ka thënë: “Traditën e kreva, s’kam pse të jap para për këtë punë”.
Në këtë moment Zeqirit i ishte fshirë numri i tij i celularit, pasi thotë se nuk dinte ta përdorte. Ndërsa Agimi ia ka shkruar në një copë letër, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Më 28 gusht, Zeqiri i ka nisur 600 euro me një kompani transfertash parash një miku i tij, në mënyrë që t’ia jaepte Agimit dhe të merrte gruan.
Pasi i ka dhënë paratë, janë takuar me “nusen” e motrën e saj dhe kanë prerë biletat që të niseshin për në Kosovë. “Nusja” ka lëvizur me pretekstin se do takonte motrën dhe më pas nuk është kthyer më.
Must Read