Lajme

Gjysmë milioni euro TVSH për 15 autobusët e rinj, ende s’kanë targa

By FerizajPress

January 08, 2017

Autobusët për të cilët është bërë bujë e madhe, 15 prej tyre tashmë kanë arritur në destinacionin e caktuar. Halil Mustafa, Kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike të Komunës së Prishtinës “Trafiku Urban” ka thënë se më 11 ose 12 janar do të dalin në qarkullim. Por, ende nuk kanë nisur procedurat e regjistrimit dhe sigurimit për ta.

Mbi gjysmë milioni euro i ka paguar “Trafiku Urban” në emër të TVSH-së për 15 autobusët e parë, shkruan lajmi.net.

“Homologimin e autobusëve e ka kryer kompania ‘Iveco’, e cila ka sjell autobusët, ashtu ka qenë marrëveshja. Nuk e di sa ka kushtuar, pasi ajo pjesë nuk na ka interesuar. Meqë kanë qenë me zero kilometrazh, Doganë nuk kemi paguar. Ne ia kemi paguar shtetit TVSH-në. Kemi paguar 35 mijë euro për një autobusë, që për 15 i bie mbi 500 mijë euro”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se targat planifikojnë t’i marrin nga java e ardhshme. “Do t’i kryejmë nga java e ardhshme procedurat e regjistrimit, pastaj sigurimit. Nuk e di sa kushton regjistrimi, do të merremi me këtë punë, por duke u bazuar tek autobusët e vjetër përafrisht mund të jetë 1000 euro për një autobusë. Regjistrimi është problem i vogël, paguhen tabelat, pastaj libreza, pastaj paguhet rruga. Këto procedura do të kryhen javën e ardhshme, pasi në këtë javë kemi qenë të zënë me trajnimin e shoferëve”, ka shtuar tutje Mustafa.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë se ka tabela të mjaftueshme dhe regjistrimi bëhet shpejtë nëse dokumentacioni është i kompletuar. “Targa ka të mjaftueshme, ndërsa procedurat për  regjistrim janë shumë të thjeshta dhe të shpejta që kryhen brenda një ore, ku  mund të regjistrohen të gjithë nëse e kanë dokumentacion e kompletuar”, ka bërë të ditur për lajmi.net, Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme. /Lajmi.net

.