18,11,2024

Gjyqtari bëhet sërish protagonist në dëm të Atletikos, Barcelona e Bajerni sigurojnë epërsinë

Must Read

sportt

Më 22 prill të vitit të shkuar, gjyqtari gjerman Felix Brych do të bëhej protagonist në çerekfinalen e Champions League-s me dy skuadrave të Madridit, Realit dhe Atletikos. Arda Turan do të nxirrej me të kuqe prej tij, e Reali do të fitonte e do të kualifikohej.

Një vit më vonë, më 5 prill, në mbrëmjen e ditës së shkuar, i njëjti gjyqtar do t’i jepte edhe një herë tjetër drejtim lojës së Atletikos së Madridit. Radhën e ka Fernando Torres, që nxirret në “Camp Nou” me të kuqe në momentin më të mirë të ekipit të tij. Dy ndërhyrje të gabuara, ku e para më së paku nuk ishte assesi e dënueshme me të verdhë, siç bëri arbitri gjerman. Për ta kursyer më pas Luis Suarez-in për një gjest antisportiv, që natyrisht meritonte nxjerrjen e tij jashtë loje.

Çererkfinalja e parë mes Barcelonës dhe Atletikos së Madridit nisi mjaft mirë për miqtë, që në minutën e 25-të kaluan dhe në epërsi pas golit të shënuar mjeshtërisht nga Torres. Një disiplinë taktike e përsosur, që dha efekt për sa kohë që ekipi nga Madridi ishte i plotë.

Me daljen e sulmuesit 32-vjeçar, gjithçka ndryshoi. Katalanasit në pjesën e dytë u bënë të papërmbajtshëm, duke mos i pushuar për asnjë çast sulmet e tyre. Dhe ata u shpërblyen me dy gola të shënuar nga i njëjti autor, Suarez, në minutën e 63-të dhe të 74-t.

Fitorja 2-1 i buzëqeshi Barcelonës, që të mërkurën e ardhshme del e avantazhuar në fushën e Atletikos.

Diego Simeone mbajti gjuhën pas ndeshjes, për të shmangur një ndëshkim të mundshëm, por dukshëm qe i nervozuar me gjykimin:

“Nuk mund të them atë çka mendoj, por sigurisht që nuk jam i zemëruar me Fernando-n.”

Në çerekfinalen tjetër të së martës në Champions League, Bajerni i Mynihut fitoi ngushtë, 1-0, ndaj Benfikës.

U duk se do të ishte një mbrëmje me shumë gola në “Allianz Arena” pasi Arturo Vidal shënoi që në minutën e dytë për vendasit. Por nuk ndodhi kështu. Goli i tij rezultoi të ishte i vetmi i të gjithë ndeshjes.

Bavarezët patën një zotërim të plotë të lojës, e po kështu një mori rastesh, por që nuk përfunduan ashtu siç duhet. Portieri mik, Ederson, bëri disa pritje shpëtimtare, veçse dy emrat më të spikatur të Bajernit, Müller dhe Lewandowski, nuk bënë paraqitjet e tyre të zakonshme.

Rezultati, gjithsesi, është në favor të Bajernit, që gjendet më pranë gjysmëfinaleve. /tesheshi.com/   

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img