Përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i ndalon personat të dënuar në tri vitet e fundit për vepra penale, qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë ka propozuar liderin e saj Albin Kurti kandidat për deputet.
Përkundër paqartësive rreth mundësisë së kandidimit të tij, Albin Kurti është propozuar së bashku me 8 anëtarë të tjerë.
Nga Qendra e Prishtinës, kandidatët për deputetë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! janë : Albin Kurti, Liburn Aliu, Arben Vitia, Xhelal Sveçla, Glauk Konjufca, Fitore Pacolli, Albulena Haxhiu, Hatixhe Hoxha.
Kujtojmë që zgjedhjet parlamentare do të mbahen me 14 shkurt, datë kjo e caktuar nga U.D e Presidentes Vjosa Osmani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi.
Gjatë ditës së sotme Këshilli i Qendrës së LVV-së në Ferizaj, përmes votës së fshehtë ka votuar për kandidatët të cilët kanë aplikuar për deputet për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas një publikimi të bërë në rrjetin social në faqen e këtij subjekti politik më të votuarit kanë qenë : Alban Bajrami, Shqipe Metaj – Isufi dhe Valon Ramadani
“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Qendrës, përmes votës së fshehtë, delegatët kanë votuar kandidatët të cilët kanë dorëzuar aplikimin për deputet. Me ç’rast, kandidatët e përzgjedhur përmes këtij procesi janë: Alban Bajrami, Shqipe Metaj – Isufi dhe Valon Ramadani” thuhet në njoftimin e LVV në Ferizaj