20,11,2024

Gjeneralja Irfete Spahiu merr komandën e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj

Must Read

Ferizaj.13.03.2018. Gjeneralja e parë femër e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Irfete Spahiu nga dita e sotme do të jetë komandante e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj. Këtë detyrë Spahiut ia dorëzoi gjenerali Enver Cikaqi, komandat i deritanishëm në kazermën e Ferizajt, në praninë e shumë mysafirëve vendor e ndërkombëtar, në një ceremoni që Forca e Sigurisë së Kosovës e kishte organizuar. Pozita e komandantit, që tash e tutje do ta mbajë një grua, u vlerësua shumë lartë, ndërsa u tha se Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes është gurëthemel i suksesit për të gjitha njësitë e FSK-së .

“Është rast i veçantë, është rast historik për FSK-në, për të gjithë neve, prandaj unë jam shumë i lumtur që si ministër i FSK-së kam pas nderin që të jem pjesë e kontributit për dekretimin dhe gradimin në gradën e gjeneralëve e në veçanti të gjenerales Irfete Spahiu”, tha Rrustem Berisha, ministër i FSK-së.
Duke shprehur mirënjohje për punën dhe sukseset që tregoi gjatë udhëheqjes si komandant brigade për gjeneral Cikaqin, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se rezultate të larta pret edhe nga gjeneralja Spahiu që sot mori këtë detyrë të re.
“Prioritet i imi është qëndrueshmëria e institucionit dhe zhvillimi i mëtejmë duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtar në mënyrë që edhe trajnimet tona të jenë profesionale gjithmonë duke u bazuar në standarde të NATO-së, sepse ky është synimi jonë që në të ardhmen të jemi pjesë e strukturave euroatlantike dhe pjesë e NATO-së”, tha gjenerallejtënant Rama.

Komandanti i deritanishëm i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, gjeneral Enver Cikaqi, tha se për nëntë vite shërbim në këtë komandë është ndërtuar një sistem shumë i avancuar i edukimit dhe trajnimit në KDS, duke ndihmuar Forcën e sigurisë së Kosovës për një forcë profesionale.
“Katër qendra stërvitore të cilat ne i kemi këtu gjatë tërë kohës kanë rritur numrin e kurseve në përputhje me nevojat që ka caktuar lidershipi jonë i lartë dhe të gjitha këto kurse janë ndërtuar mbi bazën e një standardi të lartë që tashmë është edhe NATO. Qendra për Studime Universitare është një prej storieve tona të suksesit që unë bashkë me juve konsideroj se ndihemi krenarë”, tha gjeneral Cikaqi.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, i shoqëruar edhe nga drejtorë të drejtorive komunale.
Nënkryetari Ferati, shprehu urimin për punë të mbarë drejtuesve të rinj të komandës dhe gatishmërinë e qeverisjes lokale, gjegjësisht të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu për bashkëpunim në mes Komunës së Ferizajt dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni të dorëzim-pranimit të detyrës u ndanë edhe mirënjohje e dekorata ./Tv Tema

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img