Ferizaj.30.01.2018. Gjatë vitit 2017 në rajonin e Ferizajt kanë humbur jetën 19 persona në trafikun rrugor, ndërsa janë shënuar dy vrasje, ku në krahasim me vitin 2016 ky numër ka shënuar rënie. Kështu bëri të ditur Policia Rajonale e Ferizajt gjatë raportimit të punës një vjeçare. Sipas këtij raporti gjatë vitit 2017, në policinë e këtushme janë raportuar 3471 vepra penale dhe 1497 incidente dhe kundërvajtje, ndërsa sipas policisë, janë zbuluar mbi 80% të rasteve.
Drejtori i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Gazmend Hoxha, tha se kanë arritur që të krijojnë ambient të sigurt në këtë rajon, mirëpo si sfidë përmendi numrin e madh të aksidenteve në komunikacion.
“Në vitin 2017 kemi pasur jo pak sfida të sigurisë, por me sukses kemi arritur t’i përballojmë shumicën prej tyre siç kanë qenë zhvillimet politike ku kemi pasur dy palë zgjedhje, një sfidë që po na përcjell është ndërtimi i autostradës”Arbën Xhaferi” dhe kjo na ka sjell numër të madh të rasteve të raportuara dhe po ashtu ka pasur një ngarkesë në rrugë, sfidë për neve vazhdojnë të jenë krimet kundër pasurisë, po ashtu sfida që na ka sfidu dhe na ka vështirësuar punën ka qenë siguria në komunikacionin rrugor, në këtë pikë kemi pasur probleme shumë ma serioze, kemi pasur shumë aksidente fatale, i kemi në rritje krahasim me një vit më herët”,tha Hoxha.
Në këtë konferencë, Hoxha përmendi edhe prioritet që Policia Rajonale e Ferizajt i ka për vitin 2018.
“Ne si drejtori kemi përcaktuar disa prioritet dhe objektiva për vitin 2018, parandalimi i krimit në përgjithësi, ngritja e nivelit të zbulimit të krimit, siguria e komunikacionit rrugor, rendi dhe siguria publike, ndërsa prioritetet tona do të jenë zbatimi i strategjisë së policisë në bashkësi, zbatimi i strategjisë të udhëhequr nga inteligjenca si dhe promovimi i imazhit të Policisë së Kosovës, transparenca e punës tonë, bashkëpunimi dhe krijimi i partneritetit me komuna dhe OJQ në nivel komunal”,tha Hoxha.
Ndërsa, nënkryetari i komunës së Ferizajt Naim Ferati, tha se komuna është e gatshme të bashkëpunoj me Policinë për çdo projekt që është në të mirë të qytetarëve.
“Në të kaluarën bashkë me drejtorin Hoxha dhe zyrtarë të tjerë të Policës së Kosovës kemi realizuar projekte të ndryshe siç është projekti i kamerave e projekte të tjera dhe ne jemi sot këtu që të shprehim gatishmërinë tonë dhe gatishmërinë e kryetarit Aliu që çdo projekt që është i përbashkët në sigurinë publike, në sigurinë e qytetarëve tonë, pronës publike, sigurisë në komunikacion, sigurisë nëpër shkolla të jemi bashkë dhe të avancojmë në këtë drejtim”,tha Ferati.
Sa i përket kohës së reagimit ku Policia Rajonale e Ferizajt është akuzuar disa herë se po vonohet në reagim, drejtues të Stacionit Policor në Ferizaj, thanë se kanë instaluar një data bazë në qendrën e komunikimit, lima-kontroll, e cila do të ndikoj në zvogëlimin e kohës së reagimit të policisë, gjë që sipas tyre, rrit besueshmërinë e qytetarëve tek ta.
Përveç prezantimit të punës, u ndanë edhe mirënjohje edhe për policë të dalluar./Tv Tema