19,12,2024

Fundi i manipulimit me protesta!

Must Read

Petrit Musolli

Nga Petrit Musolli

Gara e subjekteve opozitare me protesta, tregon më së miri mungesën e respektit që edhe këto subjekte kanë për qytetarin dhe kërkesat e tyre. Tregon më së miri se qytetarët asnjëherë s’i kanë parë si aleat, pos si vegla për nevoja të interesave personale partiake. Dëshmon se asnjë subjekt, pa përjashtim, nuk mund ta sheh qytetarin përtej një ushtari në dispozicion të kalkulimeve të tyre politike.

Nëse qytetarët janë ftuar për të kundërshtuar këtë Qeveri dhe qeverisje dhe jo për t’u shërbyer si trampolinë për pushtet, pse mospajtimet programore politike është dashur të bëhen pengesë e mbajtjes së një proteste, të ftuar jo për aprovimin e programeve politike të opozitës, por për kundërshtimin e formës e mënyrës qeverisëse, të Qeverisë aktuale?! Programet i nënshtrohen një procesi zgjedhor dhe, atëherë, subjektet e opozitës kanë mundur të negociojnë për alternativat programore.

Nevojën e qytetarëve me protestu e demonstru pakënaqësinë ndaj një qeverisje, me konvertu në disponim të qytetarëve për mbështetje të një programi tjetër qeverisës, është manipulim i pafalshëm. Sepse, protestat e thirrura nga opozita nuk kanë qenë ftesë për përkrahje të një ideje qeverisëse, por për kundërshtim të kësaj ideje qeverisëse.
Prandaj, prej fillimit, asgjë nuk ka pasur të sinqertë me protestën dhe arsyet e thirrjes së protestës! Sepse, përndryshe, mospajtimet rreth unifikimit të programeve të tyre politike nuk ish dashur të cenojnë nevojën e qytetarëve për ta protestuar, njëherë, këtë Qeveri, dhe për Qeveritë tjerë, natyrisht, do të vendosnin pas një prezentimi e debatimi të të gjitha ofertave politike, gjatë një procesi zgjedhor.

Nëse 200 mijë nënshkrimet e peticionit të famshëm kanë kërkuar protestimin e kësaj qeverisje për një kauzë të caktuar, atëherë, pse mosmarrëveshjet për programet politike, që nuk kanë qenë kauzë e thirrjes së protestave, u bënë pengesë e vazhdimit të vullnetit për kauzën e atyre 200 mijë qytetarëve?! Ose, për me ironizu, a do t’i ndajnë proporcionalisht, tri subjektet opozitare, nënshkrimet e peticionit?! Sepse, sheshit doli, se ato u kanë shërbyer vetëm si numra për kalkulime politike dhe asnjëherë si vullnet i përqendruem në një kundërshtim!

Opozita, ka shumë përgjigje për t’i dhënë qytetarëve para se të shtyhen cili do t’i përvetësojë nevojat e tyre për me protestu këtë Qeveri! Sepse, opozita u bë pengesa më e madhe për t’u krijuar e zhvilluar një ide që i përgjigjet kërkesave reale të qytetarëve dhe jo manipulimit të tyre për interesa krejtësisht personale partiake.

Paramendone ironinë e faktit kur ky pushtet krijoi komoditetin e diskutimit dhe “përqendrimit” në çështjen e korrupcionit dhe krimit të organizuar, përderisa opozita ishte ngujuar në temat e idetë e saj nacionaliste! Kur ky pushtet, pa më të voglën frikë, diskutonte për fenomenet që vetë i ka prodhuar – sepse nuk kishte një oponent për t’i kundërargumentuar.

Dhe, kur një zë i tretë mundohej m’i argumentu pushtetit, në radhë të parë sulmohej nga opozita për shmangie të çështjeve shumë më madhore, sikur flamuri dhe përlyemja dhe rrezikimi i një komuniteti të tërë, për një kontest politik që kërkon zgjidhje të nivelit politik, mes akterëve politik dhe në institucione politike.

Dhe, bilanci, krejt kjo kauzë madhore, 100 mijë protestuesit e tyre, 200 mijë nënshkruesit e peticionit, u flakën nga një mosmarrëveshje rreth ndarjes së një pushteti fiktiv! Sepse nuk e kanë!

E mira e daljes në shesh i këtij manipulimi opozitar është fakti se prej tash, sheshit dihet se çdo protestë e thirrun është një fushatë për promovimin e programit politik dhe nuk mund të kamuflohet më me kauza mbipartiake e interesa nacionale.

Edhe ata pjesëtarë të shoqnisë civile që dje fshiheshin pas kauzave patriotike e vullnetit qytetarë me kundërshtu këtë qeverisje, tash interesi i tyre do të identifikohet, varësisht cilës listë zgjedhore kanë zgjedhë m’i taku!? Varësisht, cilës protestë vendosin me ju bashku!?

Sidoqoftë, fundi i këtij manipulimi, ndoshta, nënkupton lirimin e një hapësire të munguar opozitare?! Një organizimi politik (qoftë si reformim i subjekteve ekzistuese, qoftë si entitet i ri), i cili do t’i përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe jo anasjelltas!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img