Ferizaj.14.02.2017. Tanimë është fakt që tash e sa vite fshati Greme është shndërruar në një qendër industriale për përpunimin e drurit me një numër të madh të këtyre bizneseve, të cilat furnizojnë gjithë Kosovën dhe më gjerë me produktet e tyre. Në këtë formë ato kanë qenë për shumë vite dhe janë akoma një shtyllë e fuqishme ekonomike e qytetit të Ferizajt, të cilat kanë gjeneruar një numër të madh të të punësuarve, duke rritur në këtë formë mirëqenien e qytetarëve të Ferizajt.
Këto biznese kanë arritur suksese të tyre në fuqizimin dhe konsolidimin e tyre me forcat e tyre individuale, përkundër vështirësive që i kanë pasur dhe në këtë kontekst përkrahja institucionale ka munguar.
Në një situatë të tillë kur këto biznese ballafaqohen me shumë vështirësi të përbashkëta lindi nevoja për themelimin e një Shoqate të këtyre bizneseve e cila do t’i mbronte interesat e tyre dhe do t’i tejkalonte vështirësitë me të cilat ballafaqohen ato.
Andaj më datë 13.02.2017 u mblodhën 55 Biznese të prodhimit të Mobilieve në fshatin Greme dhe themeluan Shoqatën e përpunuesve të drurit, ku me shumicë votash Kryetar i kësaj shoqate u zgjodh Gazmend Murseli. Në këtë mbledhje u emërua edhe kryesia e shoqatës prej 6 anëtarëve të cilat janë Arben Rexhepi, Gazmend Ahmeti, Armend Aliu, Remzi Omuri, Burhan Mani dhe Dashnim Kosumi.
Kjo shoqatë do t’i adresoj në formën zyrtare të gjitha kërkesat dhe nevojat e këtyre bizneseve tek institucionet kompetente. Kërkesa për përkrahje institucionale në hartimin e politikave ekonomike në favor të bizneseve, lehtësime tatimore, grante dhe subvencione biznesore, lehtësira në eksportim apo qasje dhe depërtimin në tregun ndërkombëtar, konkurrencë korrekte dhe të drejtë etj.
Aktiviteti i saj do të zgjerohet edhe promovimin e bizneseve nëpër panaire të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, bashkëpunime me asociacionet dhe shoqatat e profilit të njëjtë jashtë vendit, bashkëpunime me operatorët e ndryshëm ekonomik e tregtar etj.