Ferizaj-08.04.2016. Në organizim të Demokracisë Studentore në Ferizaj u takuan përfaqësues të 11 organizatave rinore të cilët formuan Forumin e Organizatave Rinore të Ferizajt.
Në komunikatën e lëshuar për medie nga ky Forum thuhet se kjo ishte nevojë e kohës pas politizimit të organizatave të tanishme rinore e sidomos të KVRL-së. Rinia e Ferizajt që nga sot e ka një përfaqësim dinjitoz dhe për këtë Forumi i Organizatave Rinore Ferizaj do të jetë struktura që do të ngritë zërin rinor dhe do të avokojë për problematikat rinore që ka munguar për shumë vite, thuhet në komunikatë.
Komunikatën e plotë mund ta lexoni në vazhdim:
Një derë e re për rininë e Ferizajt
Rinia në Ferizaj sot bëri zgjidhjen për të dal nga bunkeri të cilën e ka futur politika aktuale duke e politizuar Këshillin e Veprimit Rinor Lokal në Ferizaj.
Sot 11 organizata rinore me iniciativë të organizatës Demokracia Studentore formuan strukturën më të lartë të përfaqësimit të të rinjve “Forumi i Organizatave Rinore Ferizaj”, ku unanimisht votuan për Kryetar të këtij Forumi z. Milaim Nuhiu, i cili në të kaluarën dhe të tashmen dha një kontribut të madh për rininë e Ferizajt dhe ky post i’u besua nga të gjitha organizatat pjesëmarrëse.
Demokracia Studentore këtë iniciativë e ka marrë pasi që rinia në Ferizaj nuk është e përfaqësuar nga asnjë strukturë duke përfshirë politizimin e strukturës që duhet t’i përfaqësojë ata KVRL-në, e cila ka më shumë se 8 muaj që është jolegjitime duke u mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ne tash e tutje nuk do të lejojmë askush që të tallet me rininë e cila është e tashmja dhe e ardhmja e vendit.
Rinia e Ferizajt që nga sot e ka një përfaqësim dinjitoz dhe për këtë Forumi i Organizatave Rinore Ferizaj do të jetë struktura që do të ngritë zërin rinor dhe do të avokojë për problematikat rinore që ka munguar për shumë vite.