Derisa lideri i LSDM-së po pret mandatin për të formuar Qeverinë, presidenti Gjorge Ivanov paralajmëron se do të fillon “konsultime me institucionet përkatëse dhe partitë politike”. Këtë Ivanov e zbuloi dje në takim me euroambasadorin Samuel Zhbogar.
Nga kabineti i presidentit nuk janë të kapshëm për të sqaruar se cilat janë ato “institucione kompetente”.
Juristi Aleksandar Tortevski vlerëson se ka kaluar koha kur Ivanov është dashur t’i kryejë konsultime. Tani duhet të shkojë sipas radhitjes. Mandati duhet t’i jepet partisë së dytë. Nëse nuk vepron në këtë mënyrë, atëherë bën shkelje penale- keqpërdorim të detyrës zyrtare, shprehet Tortevski.
Në ndërkohë porositë edhe nga BE janë shumë të qarta.
“Ne vërejtëm se ende nuk është arritur marrëveshje për formim të Qeverisë së re dhe për këtë arsye u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve në vend, duke përfshirë edhe presidentin, të veprojnë në mënyrë të qetë dhe konstruktive me përgjegjësi të plotë për zgjidhje të gjendjes së tanishme. E dini se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe në këtë pikëpamje presim që presidenti, sipas Kushtetutës, të realizojë konsultim urgjent të hapur me forcat politike në vend dhe shpejtë të caktojë një lider për formim të Qeverisë, i cili do të mund të gjejë gjuhë të përbashkët për formim të koalicionit stabil, solid dhe përgjegjës”, theksoi Kocijançiç, transmeton Portalb.
Nga Ambasada e SHBA-ve thonë se po e ndjekin procesin e formimit të qeverisë dhe kanë ftuar partitë të vazhdojnë bisedimet që do të shpiejnë drejt formimit të qeverisë së re”.