Me mbështetjen e Ipeshkvisë së Kosovës dhe komunës së Ferizajt, Fondacioni “Drita” ka organizuar sonte një darkë bamirësie në shenjë falënderimi për të gjithë ata që kanë kontribuar në ngritjen e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Fondacioni “Drita “ në bashkëpunim me Ipeshkvinë e Kosovës dhe komunën e Ferizajt ka organizuar sonte një darkë bamirësie në shenjë falënderimi për të gjithë ata që kanë kontribuar në ngritjen e Katedrales “Nënë Tereza” e në veçanti bizneset ferizajase dhe institucionet lokale. Përfaqësuesi i këtij fondacioni, Petrit Hasani, ka thënë se ky takim me moton ”Miqtë e katedrales për Katedralen”, po synon që t’i falënderoi të gjithë ata që e kanë ndihmuar ngritjen e këtij objekti me rëndësi fetare e kulturore.
Ndryshe, Katedralja, si objekt është kontribut i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim, ka thënë drejtuesi i këtij fondacioni, Petrit Hasani.
Se ky kontribut humanitar duhet vlerësuar e ka thënë edhe kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, i cili me këtë rast i falënderuar edhe bizneset ferizajase, por edhe humanistët tjerë.
Për më tepër i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka folur edhe për një bashkëpunim institucional të mirë me të gjitha komunitete e komunës, e në veçanti atë katolik. Bile këtij komuniteti i ka adresuar mirënjohje për kontributin që ka dhënë në kohërat më të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.
Të pranishmit në këtë mbrëmje i ka falënderuar edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Ndryshe Fondacioni “Drita” është një Organizate Joqeveritare që ka për qëllim të veprojë, të nxisë dhe të mbështesë përhapjen e mundësive të zhvillimit demokratik , shoqëror, ekonomik , kulturor , mjedisor e njerëzor në Kosovë.