Në hulumtimin e kësaj jave rreth fenomenit të fajdeve në Mitrovicë të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, nëna e cila humbi dy djem për shkak të fajdeve thotë se vazhdon të kërkojë drejtësi për Muratin dhe Petritin.
Ajo rrëfeu momentin tragjik kur e mori lajmin për vdekjen e djalit Muratit, 30 vjeçar.
“Kunati na ka thirrë në telefon dhe na ka tregu. Unë e kam thirrë vëllain sepse edhe ai ka qenë me ne në deti, i kam tregu se më ka vdekë djali dhe ju kam lutë Zotit të mi ruajë mentë në kokë, sepse ai ma paska shkru kështu dhe unë ju kam mbështetë atij dhe kur kam ardhur në shtëpi e kam gjetur shtëpinë plot”, thotë Sofie Mehana nga Mitrovica.
Ajo tregon se tragjedia në këtë familje nuk kishte përfunduar me Muratin i cili dyshohet se e vrau veten më 26 korrikut 2011 në fshatin Bajgorë të Mitrovicës.
Pesë javë me vonë djali tjetër i saj Petrit 28 vjeç vari vetën në litar në shtëpinë e tij.
“Kam qenë tu ndejtë me gra në shtëpi dhe ka hy burri më ka pyetur se ku është djali Petriti dhe unë i tregova që ka shku mi marrë do sende në katin e katërt të shtëpisë dhe meniherë jemi nisë me shku nalt. Kur shkuam atje djali veç e kish kry, kish ra në konop”, tha ajo.
Nëna Sofie ishte kujdesur në vazhdimësi për të birin Petritin, sepse nga vdekja e djalit të parë ai i kishte thënë nënës se nuk do jetojë më për shkak të dëshpërimit që e kishte marrë nga vdekja e të vëllait.
Emisionin “Drejtësia në Kosovë” për rastin e familjes Mehana mund ta ndiqni të plotë në linkun e mëposhtëm: