Kastrioti e ka fituar bindshëm derbin e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kastrioti e mposhti kampionin, Rahovecin, me rezultatin 36:25.
Ndeshja nisi më mirë për “vreshtarët” që krijuan epërsi prej 3:0. Por vendasit shpejt barazuan, krijuan epërsi prej tri golash e në pjesën e parë u shkëputën edhe në katër gola. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 17:14 për Kastriotin.
Pjesa e dytë u takoi plotësisht ferizajasve. Të përkrahur nga një numër i madh shikuesish, lojtarët e Kastriotit ishin të suksesshëm në sulm e në mbrojtje. Dhe në fund arritën epërsi e fitore prej 11 golash.
Alban Haziri udhëhoqi Kastriotin me plot 12 gola. Nëntë i kishte Felippe Teixeira, ndërsa gjashtë i realizoi Festim Mustafa. Pesë i shënoi Adonit Isufi, kurse me shumë pritje kontribuoi Wadi Chebbi.
Rahovecit nuk i mjaftoi forma e mirë e portierëve Arti Luzha e Arbër Curri. Egzon Gjuka i shënoi pesë gola, ndërsa Mali Luzha, Ardit Tafilaj e Arbios Mushkolaj i kishin nga katër.
Tani të dy skuadrat i kanë nga katër fitore e një humbje, njëjtë si Vëllaznimi.
Must Read


