Të martën është bërë shtresa e dytë e asfaltimit në rrugën “Kadri Zeka”.
Nga afër punimet në këtë asfaltim i ka ndjekur edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Me këtë rast kryetari Svarqa, vlerësoi edhe rëndësinë e rregullimit të kësaj rruge.
“Ashtu si kemi premtuar edhe me parë në gjysmën e dytë të viti të këtij vitit qeverisja komunale po ju kthehet investimeve në qytet , shembulli më i mirë është edhe asfaltimi i rrugës “Kadri Zeka” në këtë arterie tejet të rëndësishme të qytetit. Kjo rrugë ka qenë e parapare që të asfaltohet me dy shtresa qysh në vitin 2006 por për fat të keq është shtruar vetëm një shtresë të asfaltit dhe pas 10 viteve ne po e shtrojmë shtresën e dytë”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se asfaltimi i rrugëve po bëhet me standarde evropiane.
“Ne po kërkojmë që të aplikojmë standarde në infrastrukturën rrugore në Komunën e Ferizajt, me të cilën unë shpresojë dhe jam shumë i sigurt që po shquhemi në tërë Kosovën dhe jam po ashtu i lumtur që po punojmë për interesin qytetarë në mënyrë që qytetaret tanë të kenë mundësi më të mira lëvizjeje edhe në rrugët tona qoftë përmes automjeteve, qoftë edhe këmbësoret sepse kjo është një lagje shumë e dendur e banimit dhe është shumë e mirë për të gjithë ne”, është shprehur kryetari Svarqa.
Ndërsa banorët e kësaj lagjeje thanë se tashmë projekti ka marrë pamje finale dhe si i tillë është më funksional për qarkullim.
Gjatësia e rrugës “Kadri Zeka”, është afër dy kilometra ndërsa ka një gjerësi prej shtatë metrash. Vlera e këtij projekti kap shumën mbi 50 mijë euro.