Ferizaj.21.10.2017. një ceremoni madhështore, në Ferizaj sonte ka filluar Festivali i Teatrove të Kosovës i cili po mbahet për të 47-tën herë me radhë. Kjo ngjarje kulturore është mirëpritur nga artdashësit ferizajas por edhe nga udhëhqës të institucioneve. Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa në hapje të festivalit çmoi lart angazhimin e të gjithë organizatorëve që për më shumë se 4 dekada po e mbajnë gjallë traditën e mbajtjes së festivalit.
“Festivali tradicional i teatrove, paraqet një ngjarje të rëndësishme kulturore jo vetëm për Ferizajn. Përmes këtij festivali, na ofrohet mundësia që për çdo vit të shijojmë arritjet teatrore nga anë të ndryshme të gjeografisë shqiptare, të njihemi me vlerat teatrore dhe kulturore që po krijohen aktualisht tek ne. Festivali i teatrove në Ferizaj, ka krijuar tashmë një traditë të begatshme dhe paraqet vlerë të mëvetësishme në rrjedhat kulturore në Ferizaj e më gjerë. Bëhet fjalë për një traditë rrugëtimi artistik që ka shënuar ngritjet e zbritjet e veta, por që gjithsesi e ka begatuar jetën kulturore jo vetëm në Ferizaj. Uroj qëky edicion të sjell risi cilësore dhe të ketë nivel të lakmueshëm artistik të shfaqjeve. Komuna e Ferizajt e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë festival me të gjitha mundësitë e veta. Kështu do të bëjë edhe në të ardhmen, duke e konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më të bukura të vitit” tha nw fjalwn e tij kryetari Svarqa.
Në edicionin e sivjemë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj do të marrin pjesë 8 shfaqje konkurruese, të cilat do të prezantohen nga trupat teatrore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Drejtori i teatrit “Adriana” në Ferizaj Fatmir Hyseni ka thënë se edhe sivjet gjatë netëve sa do të zgjasë kjo ngjarje kulturore do të ketë mysafirë të shumtë nga vendi dhe rajoni. Juria e festivalit të sivjetshëm, përbëhet nga Vjosa Abazi ,Selman Jusufi dhe Erson Zymberi. Ndërsa biletat për të marr pjesë në këtë festival kanë filluar të shiten para dy ditësh dhe do të kenë një kosto prej 2 deri në 3 euro.