Drejtori i Departamentit të Mjeksisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se gërmimet e terrenit në kampusin e Universitetit të Prishtinës, për kontrollin e një lokacioni, të dyshuar për një varrezë, do të fillojnë ditën e mërkurë, më 13 korrik.
Në punimet në kampusin e Universitetit, do të jetë i pranishëm edhe delegacioni nga Serbia për të përcjellë zhvillimet.
Gërxhaliu tha se ka dyshime “se bëhet fjalë për viktima të përkatësisë shqiptare”.
“Në bazë të informacioneve të dëshmitarëve, më sakt të qytetarëve që na kanë dhënë informacionet do të fillojmë punimet. Do të punojmë së bashku me ekspertët e EULEX-it. Do të jetë i pranishëm edhe delegacioni nga Serbia, me kërkesën e tyre. Së bashku me ta punojmë 17 vjet dhe kanë shpreh dëshirën të jenë këtu. Prokurori dhe komisioni e kanë pranuar. Nesër (e mërkurë), fillon hulumtimi i vendit të dyshuar. Nuk mund të themi se bëhet fjalë për një varrezë masive, sepse ende nuk është përcaktuar si e tillë”, tha Gërxhaliu. për REL.
Punimet do të zhvillohen brenda dy ditëve dhe nëse gjenden mbetjet mortore, punimet e makinerisë së rëndë do të pushojnë, ka thënë Gërxhaliu, “për t’i përshtatur një tjetër formë të punimeve”./REL