Ka nisur sot procesi i vaksinimit kundër sëmundjes gungore të gjedhit edhe në komunën e Ferizajt. Në fshatin Rakaj këtë proces nga afër e ka përcjellur i pari i Drejtorisë së Bujqësisë, Ismet Vranovci, i cili me këtë rast ka thënë se drejtoria që ai drejton që nga shfaqja e kësaj sëmundje ka qenë e mobilizuar në ofrimin e të gjitha shërbimeve. Ai e ka vlerësuar këtë proces duke thënë se drejtoria me stafin e saj është e përgatitur maksimalisht për ta përfunduar me sukses këtë proces.
Mjeku veterinar, Mexhid Haxhimusa, në anën tjetër e ka vlerësuar vaksinimin si një përvojë të re në praktikën veterinere tek vendit .Ai ka thënë se bëhet fjalë për një sëmundje virusale me një përhapje të shpejtë dhe me efekte të dëmshme për kafshët.
Se procesi i vaksinimit nuk ka alternativë e thotë edhe fermeri nga ky fshat Merxan Qeli. Ai shpjegon se fondi blegtoral i fermës së tij nuk është prekur nga kjo sëmundje teksa shton se institucionet përgjegjëse janë vonuar në sigurimin e vaksinës.
Ndryshe, deri tek fillimi i vaksinimit edhe në komunën e Ferizajt ka pasur raste me këtë sëmundje. Bazuar në informatat e drejtorisë së Bujqësisë, deri më tani nga kjo sëmundje kanë ngordhur 25 krerë lopë, ndërsa të prekura janë mbi 150 krerë të tjera. Autoritet u kanë bërë thirrje fermerëve që të jenë në kontakt para ndërmarrjes së çdo veprimi. /Lajmi.net