30,10,2024

Fillimi me Islam përfundimi në terror (shkaktarët)

Must Read

Eksitojnë disa faktor, që një i ri të filloj në Islam e të përfundoj në terror. Si faktor kyç që mund ndikoj në këtë çështje është mostrajtimi me seriozitet për jetën e të rinjve nga shteti. Po ashtu, faktori tjetër ka të bëj me injorancën e të rinjve në hapat fillestar të praktikimit të riteve fetare.

Natyrisht, që për ta vështirësuar akoma më shumë këtë problematik, janë edhe kontekstet aktuale me të cilat janë duke u ballafaquar shoqëritë në mbar botën.

Në këtë kohë kur bota është e mbushur me probleme, e degjenerimi ka kaluar në përmasa shqetësuese, në vend se të ketë një bashkëpunim serioz ndërinstitucional të bazuar në nevoja imediate në mbrojtje të rinisë, kjo çështje nuk është fare në listat e prioriteteve të shtetit.

Niveli i ultë arsimorë, varfëria, konsumimi i narkotikëve, kriminaliteti i shtuar e shumë dukuri negative të tjera, po e dëmtojnë bërthamën e shoqërisë (rininë). Disa të rinj pasi që kalojnë nëpër etapa të ndryshme të jetës, kryesisht me probleme, fillojnë të mendojnë për t’ju kthyer normalitetit të jetës. Jo pak nga ta rrugën e normalitetit e shohin nëpërmjet fesë, madje një numër i konsiderueshëm i tyre si alternativë të vetme e shohin fenë Islame. I riu fillon praktikimin e ritualeve të fesë Islame, duke shpresuar me të drejt se duke u bërë praktikues i fesë do ta plotësoj moralin e tij dhe si rrjedhojë do të ketë ndryshim apo përmirësim në sjelljen e tij.

Mirëpo, çfarë është duke ndodhur me disa nga ta, që duke hequr dorë nga dukurit negative fillojnë praktikimin e riteve fetare me qëllim e shpresë për të qenë paqësorë e përfundojnë si terrorist?

Te pjesa dërmuese e këtyre të rinjve devijimi fillon për shkak se në këtë fazë tek ta mbizotëron dukshëm ndjenja e euforisë kundrejt njohurive të tyre fetare. Një i ri i cili fillon të praktikoj rituale Islame, kaplohet nga një gjendje euforie e fuqishme. Kjo gjendje, gjegjësisht kjo ndjenë e fuqishme (e pa kontrolluar) që vjen si pasoj e të besuarit pa njohurit e nevojshme për fenë, ndikon tek i riu injorant që ai të mos mund t’i rezistoj kësaj ndjenje të fuqishme e cila për pasoj ndikon negativisht tek i riu në prishje të ekuilibrit të tij në të menduar dhe gjykuar.

Gjendja euforike që e kaplon të riun e shtyn atë kah një gjendje psikologjike e cila ndikon tek i riu që ai të kundërshtoj me bindje të pa luhatur të gjithë ata që mendojnë dhe veprojnë kundër bindjes së tij. Ndjena që kaplon të riun është mbi njohurit e tij që ai posedon për fenë Islame. Duke qenë niveli i lartë i euforisë dhe injoranca e thellë për fenë Islame, ai merr vendime dhe veprime joracionale.

Është e njohur teoria që shpjegon udhëheqjen e jetës njerëzore nga dy mendje, nga mendja racionale dhe ajo joracionale. Prandaj, tek një individ (i ri) i cili është në fazën e parë të praktikimit të fesë Islame, zakonisht mendja joracionale është më e fuqishme se sa ajo racionale dhe për pasoj vendimet dhe veprimet e tij zakonisht konsistojnë në mendjen joracionale. Për arsye të ndikimit që posedon mendja joracionale tek i riu në këtë fazë, lehtësisht mund të manipulohen nga mashtruesit dhe manipuluesit që janë të mbuluar me petkun e devotshmërisë fetare.

Mashtruesit dhe manipuluesit, nëpërmjet shpëlarjes së trurit dhe indoktrinimit fetarë, ndikojnë tek ata të rinj që janë në fazën fillestare duke manipuluar me fraza të ndryshme siç është bie fjala ‘’çdo gjë që bënë bëje për Zotin, se do të shpërblehesh nga Zoti’’. Tek një i ri i cili ka rënë preh e euforisë, i cili ka rënë preh e mashtrimeve, i cili ka rënë preh e indoktrinimeve dhe i cili ka rënë preh e shpëlarjes së trurit, ka rrezik që me bindje dhe krenari të kryej akte terrori.

Mirëpo, jo rrallë ka ndodhur, që edhe disa individ në moshë më të pjekur dhe duke qenë praktikues të kahershëm të fesë Islame u janë bashkuar organizatave terroriste. Tek këta individ, ka ndikuar në masë të madhe shkëputja e plot nga e kaluara e tyre. Shoqërimet e tyre vetëm me njerëz të indoktrinuar dhe shkëputja e plot nga bota e civilizuar, ka ndikuar fuqishëm në të menduarit dhe gjykuarit ekstrem kundrejt botës së civilizuar. Brenda izolimit të tyre grupor, ata dëgjojnë vetëm për gjëra që ju ofrohen nga ata që konsiderohen nga grupi si ‘’dijetar’’. Shkëputen plotësisht nga leximi i librave nga autor perëndimor, madje edhe nga shumë autor që janë të përkatësisë fetare Islame, por që tematikat që lidhen me çështjet fetare (Islame) sipas grupit të izoluar i trajtojnë në mënyrë më liberale.

Pavarësisht që këta autor (njohësit e vërtet të fesë) janë dukshëm më të ditur se pjesëtarët e grupeve të izoluara, madje as nuk mund të krahasohen ndërmjet vete, mjafton fakti që janë në kundërshtim me e idetë e tyre dhe të shpallen renegat të fesë dhe të bëhet i ndaluar leximi i librave të tyre. Grupet e izoluar, leximin e këtyre librave e konsiderojnë humbje kohe, madje edhe mëkat. Me një fjalë, e kanë të bllokuar çdo mundësi për tu informuar me informacione nga bota reale dhe e civilizuar dhe për pasoj ka mospajtime të thella ndërmjet tyre dhe realitetit jetësor.

Kjo ka ndikuar që t’i perceptojnë ndryshe gjërat dhe ta shohin me një sy tjetër botën. Natyrisht, që me dy koncepte të kundërta për botën, mundësia është e madhe për mospajtime dhe konfrontime. Andaj, për përmirësimin e kësaj gjendje, është i domosdoshëm një bashkëpunim i plot nga të gjitha strukturat e shoqërisë dhe nuk mund të amnistohen as përfaqësuesit e institucioneve gjegjëse që janë të thirrur për një jetë më të mirë për të rinjtë, madje mbi ta është përgjegjësia kryesore.

Të tillët duhet urgjentisht të intervenojnë në politikat shtetërore që kanë lidhje me ruajtjen e të rinjve nga kjo dukuri shkatërruese, të hartojnë strategji dhe plane për mbrojtjen e të rinjve nga kjo gjendje e cila favorizon të prodhuarit e ekstremistëve dhe terroristëve. Situata aktuale, e cila fatkeqësisht është në favor të ekstremizmit dhe terrorizmit, mund të ndryshoj vetëm nga dora (intervenimet) e shtetit. Pasi që vetëm nga dora e shtetit mund të përmirësohet kjo gjendje, shteti ka qenë, është dhe do të jetë bashkëfajtorë deri në përmirësimin e kësaj gjendje për të rinjtë.

Prandaj, në këso situatash, ashtu siç meritojnë të ndëshkohen terroristët për veprim, meritojnë të ndëshkohen për mosveprim edhe ata që janë të thirrur (përfaqësuesit e shtetit) për edukimin dhe vetëdijesimin e të rinjve për një jetë më të mirë. Derisa të vetëdijesohen institucionet e shtetit, apeloj tek të gjithë ata të rinj, që le të kenë kujdes nga faza e parë e praktikimit të ritualeve fetare, sepse nga vendimet dhe veprimet e dhunshme që mund t’i marrin në këtë fazë do të pendohen, por do të jetë vonë. Si dhe mos të bëhen pjesë e grupeve të izoluara dhe të shkëputin të gjitha lidhjet nga bota që i rrethon, sepse duke vepruar kështu do ta rrënojnë në themel jetën e tyre, të familjes së tyre dhe do të jenë shumë destruktiv dhe të dëmshëm për mbarë shoqërinë. Një njri i cili vepron në kundërshtim me misionin e tij në këtë botë (misioni i njeriut në këtë botë është paqja, rregulli, harmonia, toleranca etj.) meriton ndëshkim të rëndë nga Zoti dhe populli.
Shkruar nga Shkelzen Marevci

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Është gjetur edhe vetura e dytë, e cila ishte vjedhur në fshatin Dardani të Ferizajt

Me datën 25.10.2024 rreth orës 16:00 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në fshatin Koshare të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img