27,11,2024

Ferizajt i kthehet i pavdekshëm Heroi i Kombit Ahmet Kaçiku

Must Read

Drejtues të pushtetit lokal e atij qendrore, drejtues të subjekteve politike, familjarë dhe mysafirë të shumtë, këtë të hënë kanë marr pjesë në zbulimin e shtatores së heroit të kombit Ahmet Kaçiku.

Fillimisht të pranishmëve në emër të këshillit organizativ për zbulimin e shtatores së Heroit të Kombit Ahmet Kaçiku i ka përshëndetur kryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së Rafiz Sejdiu, i cili ka folur edhe për jetën dhe veprën e heroit.

Ndërsa, portretin ushtarak të Ahmet Kaçikut e paraqiti gjeneral Imri Ilazi, i cili theksoi se 12 qershori është ditë e madhe për gjithë ferizajasit dhe me gjerë me të vetmin fakt se po kremtohet Dita e Çlirimit dhe në bronze po kthehet edhe heroi i kombit Ahmet Kaciku.

E nga ana tjetër, numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka shprehur kënaqësinë e tij të rrallë që ishte I pranishëm në përurimin e shtatores së njërës prej emblemave të luftës për liri të popullit të shumëvuajtur, Heroit të Kosovës Ahmet Kaçiku.

“Në një ditë të madhe si kjo, në ditën e çlirimit, e cila shënon ndarjen e dy epokave, asaj të robërisë dhe epokës së lirisë, ne po bëjmë edhe një vepër, për të forcuar kujtesën tonë kolektive dhe individuale ndaj asaj që ka ndodhur deri 18 vjet më parë: vuajtje, nëpërkëmbje, vrasje e tortura të pafund, vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare dhe bindjeve politike, dhe luftës së pareshtur për liri, për të drejta kombëtare e njerëzore, për pavarësi e jetë të dinjitetshme në tokën tonë. Me përurimin e kësaj shtatoreje, heroi Ahmet Kaçiku do të jetë më i pranishme në mendjet dhe në përfytyrimet e ferizajasve, e jo vetëm të tyre. Kjo shtatore, ashtu si edhe shumë të tjera, do të na kujtojnë përmasat e flijimeve e përpjekjeve që janë bërë, në mënyrë që ne sot të mund ta kremtojmë lirshëm përvjetorin e çlirimit, të punojmë e të mësojmë të lirë, ta bëjmë jetën më të mirë e pa ndërhyrje. Kjo shtatore do të na kujtojë ato kohë jo shumë të largëta, kur jeta jonë ishte bërë e pavlerë, për shkak të shtypjes, tiranisë, torturës e vrasjeve, për fajin e vetëm se kishim lindur shqiptarë. Do të na kujtojë atë lumë flijimesh që ky vend i bëri gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, për të arritur një ditë si kjo e sotmja, që ta kemi në dorë e ta farkëtojmë fatin tonë ashtu siç e duam e siç mundemi, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai ka thënë se shtatoren e heroit Ahmet Kaçiku dhe lapidarët, bustet e përmendoret e dëshmorëve, martirëve e atdhetarëve, i kemi ndërtuar e po i ndërtojmë, për të nderuar e për të përjetësuar ndër shekuj vlerën tonë më të lartë: luftën dhe flijimin e pakursyer për liri, pavarësi, të drejta kombëtare e njerëzore; për t’ua kujtuar brezave të tashëm e të ardhshëm se pa liri, nuk vlen as pasuria, as ëndrrat, madje as jeta.

“Shtatorja e Ahmet Kaçikut dhe lapidarët, bustet e përmendoret e dëshmorëve, martirëve dhe atdhetarëve, në fund të fundit, do të trokasin përjetësisht në ndërgjegjen tonë, për të na përmendur e për të na kujtuar se liria e këtij vendi dhe e kësaj toke, është paguar shumë shtrenjt, prandaj ne sot kemi detyrime ndaj këtij vendi, për ta ndërtuar të lirë, të bukur e sa më të pasur. Detyrimet që i kemi marrë përsipër, për të nderuar e për ta çuar në vend gjakimin e heronjve, dëshmorëve, martirëve e atdhetarëve, na nxjerrin përpara vetëm një rrugë: rrugën e punës, angazhimit e përkushtimit me devotshmëri, për ta ndërtuar të sotmen e të ardhmen më të mirë, për ta vendosur shtetin tonë të ri e të brishtë në themele sa më të forta, për ta bërë jetesën e qytetareve tanë sa më të mirë dhe për të ofruar sa më shumë mundësi krijuese për të gjithë. Idealet e larta kombëtare, liridashëse e njerëzore, janë paraprijëse të veprave të mëdha. Heronjtë si Ahmet Kaçiku, u udhëhoqën nga idealet e lirisë e të pavarësisë së vendit tonë. Idealet tona të sotme janë ndërtimi i jetëve tona të lira dhe ndërtimi i themeleve të së ardhmes më të mirë për fëmijët tanë. Për realizimin e këtyre synimeve, na duhet punë e përbashkët, pa ndasi, pa inate e pa armiqësi. Nëse për dekada e shekuj, kanë qenë të tjerët që na kanë lënë në terr e në vuajtje, sot nuk mund t’ia lëmë falin askujt për ngecjet tona. Prandaj, në vend të pengesave, ta ndihmojmë njeri-tjetrin në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt përparimit qytetërues. Jam i bindur se këtë porosi sot do ta kishin për ne edhe heronjtë, dëshmorët dhe të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, ka përfunduar kryetari Svarqa.

Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe bashkëluftëtari i heroit Ahmet Kaçiku Elmi Reçica.
Ndërsa Halil Krasniqi, ka bërë një evokim kujtimesh për heroin e kombit Ahmet Kaciku.

Ndërkaq, në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur vajza e heroit Festina Kaçiku.

Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img