Gjatë ditës së sotme, Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit Afrim Llabjanin, zëdhënësin e Komunës Selim Marevci si dhe Jeton Rexha, menaxher i projektit “CBCEcoKid” vizituan Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”, për të parë nga afër investimet që po bëhen në promovim të gjenerimit të energjisë së ripërtërishme.
Gjimnazi “Kuvendi i Arbërit” së bashku me tri institucione publike arsimore në komunën e Ferizajt, shkollat: “Jeronim de Rada”, “Gjon Serreçi” dhe çerdhja “Ardhmëria Jonë”, janë përfituese të projektit “CBCEcoKid”, përmes të cilit mundësohet vendosja e paneleve solare për gjenerimin e energjisë elektrike dhe zëvendësimi-vendosja e poçave efiçientë për reduktimin shpenzimeve të cilat mundësojnë kursime të mjeteve financiare që mund të përdoren në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve edukative dhe zhvillimore në Komunën e Ferizajt.
“Si gjeneratë e re keni mundësi që nga afër të shihni efektin e energjisë diellore dhe energjisë së ripërtërishme”, tha Nënkryetari Aliu, para nxënësve prezentë duke ju bërë thirrje që të mësojnë sa më shumë.
“CBCEcoKid” është projekt i financuar përmes Programit për Bashkëpunim Ndër-kufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut, derisa Komuna e Ferizajt është udhëheqëse e procesit në partneritet me Komunën e Çairit dhe OJQ “Business Support Center Kosova – (BSCK)”.
Projekti “CBCEcoKid” promovon gjenerimin e energjisë së ripërtërishme në institucionet publike në komunat partnere në të dy anët e kufirit.


