16,07,2025

Ferizaj përkujton dëshmorin Nazmi Ukësmajli dhe shënon Ditën e Veteranit të UÇK-së

Must Read

Ferizaj, 16 korrik 2025 – Sot, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj, u mbajtën homazhe për të përkujtuar rënien heroike të dëshmorit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Komunën e Ferizajt, Nazmi Ukësmajli. Data e rënies së tij përkon edhe me Ditën e Veteranit të UÇK-së në këtë komunë, duke i dhënë kësaj dite një rëndësi të veçantë historike e kombëtare.

Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ish-eprori i lartë i UÇK-së në Zonën e Nerodimes dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shkuri Buka, bashkëluftëtarë të Nazmi Ukësmajlit, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe shumë qytetarë nga mbarë rajoni i Ferizajt.

Kryetari i Komunës, Agim Aliu, tha se në ditën e rënies heroike në altarin e lirisë të dëshmorit të parë të UÇK-së në Komunën e Ferizajt, Nazmi Ukësmajli, datë kjo që shënon edhe Ditën e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, me homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së përkujtuam dhe nderuam sakrificën sublime, heroizmin e pashoq të dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë për lirinë e Kosovës. Ai shtoi se lavdi sa të jetë jeta, Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri, duke theksuar nderimin e respektin e përhershëm për luftëtarët e lirisë dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe uroi Ditën e Veteranit të UÇK-së në Ferizaj.

Me një mesazh të veçantë mirënjohjeje u paraqit edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së në Zonën e Nerodimes, deputeti Elmi Reçica, i cili tha se homazhet pranë varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj janë në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit, Nazmi Ukësmajli, si dhe në shënimin e Ditës së Veteranëve të UÇK-së në Ferizaj. Ai theksoi se përulësisht kujtojmë gjakun e derdhur dhe betejat e paepura për liri, duke shtuar se të tillët si Nazmi Ukësmajli mbeten përjetësisht dritë udhërrëfyese për brezat që vijnë.

Në përkujtim të këtij përvjetori, u vendosën kurora me lule dhe u mbajt një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Të pranishmit theksuan se trashëgimia e gjakut të derdhur dhe sakrifica e brezave të luftës mbeten përgjegjësi e përhershme për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të denjë për amanetin e dëshmorëve.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Operacion policor në Prishtinë, Ferizaj e Shtime, Bastisjet janë kryer në Agjencinë e Arkivave dhe atë Kadastrale

Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke zhvilluar një operacion të gjerë policor në tri komuna...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img