24,07,2025

Ferizaj përballet me rrezik nga zjarret – Thirrje për vetëdijesim dhe parandalim

Must Read

Ferizaj, 23 korrik 2025 – Rritja alarmante e zjarreve në territorin e komunës së Ferizajt ka shtyrë zyrtarët lokalë të thërrasin një takim urgjent me kryetarët e fshatrave, përfaqësuesit e institucioneve relevante dhe përfaqësuesit e komunitetit. Në qendër të diskutimit ishte parandalimi i zjarreve, dëmet që ato po shkaktojnë dhe domosdoshmëria për mobilizim të përgjithshëm qytetar.

Komandanti i Policisë në Ferizaj, z. Ismet Dervishi, theksoi se periudhat më të rrezikshme për zjarrvënie janë korrik-gusht, për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të thata.

“Jemi në një fazë kritike – rreziku është i lartë për dëme materiale dhe pasurore, shtëpi dhe biznese. Kemi pasur shumë raste intervenimi dhe nëse ndodh një zjarr masiv, është pothuajse e pamundur ta shuajmë në kohë. Ndaj kërkoj nga të gjithë që të përfshihen në identifikimin e rreziqeve, sensibilizimin e komunitetit dhe përgatitjen për raste emergjente.”

Ndërsa Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve z. Zymri Krasniqi bëri thirrje ndaj të gjithë qytetarëve që t’i lajmërojnë organet kompetene në rast se hasin diku në ndonjë vatër të zjarrit.

Zëvendës komandanti i zjarrfikësve, Jeton Avdiu, tha se situata aktuale në komunën e Ferizajt është jashtëzakonisht e rëndë dhe ka kaluar në fazën e kolapsit operacional:

“Të gjithë zjarrfikësit aktualisht janë në terren, duke ndërhyrë në raste të ndryshme. Shumica nuk janë fare në bazë – kjo nuk është normale. Jemi në një gjendje të jashtëzakonshme. Sot, këtu në takim, ka shumë pak administratorë të pranishëm, dhe më vjen keq për këtë, sepse situata kërkon përfshirje të plotë të të gjithëve.”

Ai veçoi fshatin Komogllavë si një nga zonat më të rrezikuara:

“Në Komogllavë dhe disa fshatra të tjera, ka zjarre çdo ditë. Është e qartë se nuk bëhet fjalë për raste të rastësishme – kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.”

Në fund të fjalës së tij, Avdiu propozoi:

“Është urgjente që të organizojmë një takim të veçantë me banorët e Komogllavës për të diskutuar gjendjen aktuale dhe për të gjetur zgjidhje konkrete për parandalimin e mëtejshëm të zjarreve në këtë zonë.”

Ndërsa Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Alberton Sahiti, theksoi se shumica e zjarreve nuk vijnë nga natyra, por janë shkaktuar drejtpërdrejt nga dora e njeriut.

“Vetëm dje, brenda dy orësh, kemi pasur pesë raste zjarrvënieje ka qenë vështirë që t’i menaxhojmë. Ne megjithatë jemi përpiqur përmes shkrimeve dhe takimeve me policinë dhe zjarrfikësit të sensibilizojmë qytetarët, por kjo nuk ka mjaftuar. Duhet të flasim më shumë me njerëzit dhe ta krijojmë opinionin që kjo është një çështje serioze.”

Ai njoftoi se po përgatitet një shkrim sensibilizues që do t’u shpërndahet të gjithë fshatrave, me kërkesën që secili kryetar fshati ta afishojë dhe diskutojë me komunitetin lokal.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e fshatrave ngritën një sërë shqetësimesh konkrete:
Fishekzjarrët dhe ndezja e tyre në sallat e dasmave, si problem që rrezikon sigurinë dhe është raportuar edhe më herët në polici.
Mbeturinat dhe drunjtë e hedhur në mënyrë të pakontrolluar, që shpesh pastaj digjen nga banorët, duke krijuar vatra të rrezikshme.
Mungesa e ndërhyrjes së shpejtë për shkak të volumit të madh të rasteve.
Sjelljet e rrezikshme në komunikacion, përfshirë edhe motoçiklistë të papërgjegjshëm që frekuentojnë zonat periferike.

Ndër të tjerash Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve z. Zymri Krasniqi theksoi rëndësinë e masave parandaluese para se të jetë vonë:

“Nëse nuk pastrojmë zonat e rrezikuara, nëse nuk ndërmarrim masa preventive atëherë më të vështirë do e kemi menaxhimin e zjarreve.”

Në përmbyllje të takimit, Komandanti i Stacionit Policor z. Ismet Dervishi përforcoi mesazhin kryesor:

“Të mos ndezësh zjarr, të mos hedhësh një mbeturinë – kjo është forma më e pastër e patriotizmit. Nëse ne veprojmë sot, do të kemi ndryshim. Të gjithë së bashku mund ta parandalojmë më të keqen.”

Më pas ai gjatë fjalës përmbyllëse në takim, theksoi rëndësinë e veprimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit të të gjitha palëve:

“Nëse veprojmë tani, me siguri do të sjellim ndryshim. Unë e vlerësoj shumë kontributin tuaj dhe besoj se edhe administratorët e tjerë i ndjekin komunikimet dhe shkrimet që po i ndani. Ato ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve dhe e ndihmojnë përhapjen e mesazheve tona.” / Për FerizajPress: Aurorë Zymberi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj hap dyert për Panairin e Bizneseve Artizanale

22 korrik 2025 - Sot në Ferizaj është bërë hapja zyrtare e Panairit të Bizneseve Artizanale, një ngjarje që...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img