25,07,2025

Ferizaj në rrugë të gjelbërimit: Projekte mjedisore në zhvillim dhe plane për të ardhmen

Must Read

Ferizaj, 24 Korrik 2025 — Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, ka nisur një sërë projektesh që synojnë krijimin e hapësirave të reja publike dhe përmirësimin e mjedisit urban dhe rural. Këto projekte janë pjesë e një strategjie afatmesme për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjelbërim të qytetit dhe zonave përreth.

Drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit z. Arbër Bytyçi ndër të tjerash potencoi se projektet aktualisht janë në faza të ndryshme të implementimit dhe disa prej tyre po shkojnë drejt përfundimit. Ai veçoi Kodrën e Sherreteve, ku punimet për gjelbërimin dhe infrastrukturën janë në fazën përmbyllëse, si dhe zgjerimin e Parkut “Liria”, një ndër hapësirat më të rëndësishme rekreative në qytet, ku po finalizohen ndërhyrjet për hapësira më funksionale dhe më të gjelbra.

Po ashtu, drejtori theksoi se kanë nisur punimet për krijimin e një parku të ri në hapësirën e objektit e ish-ndërmarrjes “Pastrëtia”, një projekt që ka për synim transformimin e zonave të lëna pas dore në hapësira të shfrytëzueshme për qytetarët.

Një tjetër iniciativë e veçantë që është duke u zbatuar është ajo e “pocket parqeve”, apo parqeve të vogla në hapësira publike të pazhvilluara. Sipas drejtorit, parqe të tilla janë krijuar tashmë në qytet, si ai pranë shtatorës “Tony Blair”, ndërsa pritet të ndërtohen edhe në fshatra si Komogllavë, Talinofc dhe Koshare si dhe pranë stacionit të autobusëve, ku pritet fillimi i punimeve së shpejti.

Drejtori z. Bytyçi potencoi se ky koncept i pocket parqeve do të shtrihet edhe më tej, duke shfrytëzuar çdo hapësirë të vogël publike për të krijuar ambiente të gjelbra dhe argëtuese për qytetarët.

Në kuadër të transparencës dhe përfshirjes së komunitetit, drejtori bëri të ditur se së shpejti do të fillojnë dëgjime publike me qytetarët, për t’i informuar dhe përfshirë ata në projektet dhe dokumentet e reja të planifikimit urban dhe mjedisor.

Në lidhje me hartën zonale, drejtori sqaroi se dokumenti ishte përfunduar, por fatkeqësisht me anulimin e planit zhvillimor komunal tani me ç’rast anulohet edhe procedura për hartimin e hartës zonale. Megjithatë, drejtoria ka ndërmarrë hapat e parë për hartimin e një plani të ri zhvillimor komunal, përfshirë hartën zonale dhe rregulloren përkatëse. Ai shtoi se tashmë po pritet përzgjedhja e kompanisë e cila do të jetë partner i komunës si dhe njekohesisht do të angazhohet në procesin e hartimit të këtyre dokumenteve të rëndësishme të planifikimit hapësinor të Ferizajt.

Në përfundim, drejtori z. Bytyçi theksoi se përmes këtyre projekteve, Komuna e Ferizajt synon të përmirësojë cilësinë e jetës, të ruajë dhe zgjerojë hapësirat e gjelbra, si dhe të ndërtojë një infrastrukturë mjedisore dhe urbane më të qëndrueshme.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj ndan subvencione për bizneset vendore

Mbështetje për start-up-et, bizneset e grave dhe mikro-ndërmarrjet Ferizaj, 25 Korrik 2025 – Në sallën e Kuvendit të Ferizajt u...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img