12,07,2025

Ferizaj, model i zhvillimit ekonomik dhe turistik – mbi 200 biznese të subvencionuara dhe investime milionëshe në turizëm

Must Read

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Komunën e Ferizajt, gjatë këtij mandati, ka realizuar një sërë projektesh me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Gjatë një interviste për ferizajpress drejtori i kësaj drejtorie z. Balton Dërguti prezantoi arritjet kryesore dhe planet për të ardhmen, duke theksuar prioritetin e mbështetjes për bizneset lokale, përfshirë ato të grave, të rinjtë dhe startup-et.

“Një nga sukseset më të theksuara ka qenë skema e subvencionimit, përmes së cilës janë mbështetur mbi 200 biznese me nga 2,000 deri në 2,500 euro. Përfituesit kryesorë kanë qenë gratë ndërmarrëse, mikrondërmarrjet dhe startup-et – sektorë që konsiderohen si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik” deklaroi z. Dërguti.

Një tjetër projekt madhor është zhvillimi i Zonës Turistike në Jezerc, me një investim prej afro 1 milionë euro, që përfshin ndërtimin e fushave sportive, verandave, këndeve rekreative dhe shtigjeve për ecje.

Po ashtu, për herë të parë në Ferizaj është realizuar projekti “Via Ferrata”, atraksion për alpinistë dhe adhurues të natyrës, me mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë si Swiss Contact.

Nga projektet e bashkëfinancuara me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, vlen të përmenden ndërtimi i një parku në lagjen Varosh (investim 360 mijë euro) dhe fusha sportive me staza biçikletash në zonën turistike Jezerc (investim 110 mijë euro).

Ferizaj është bërë komuna e parë në Kosovë që ka realizuar virtualizimin e qytetit në 3D, duke i mundësuar vizitorëve ta eksplorojnë qytetin përmes pamjeve 360 shkallë në Google.

Gjithashtu 20 përpunues të drurit janë dërguar në një panair B2B në Zvicër, për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit me kompani zvicerane.

Për herë të parë në Komunën e Ferizajt janë certifikuar mbi 20 guida turistike, si udhërrëfyes të licencuar për grupet e turistëve.

Për më tepër, është krijuar edhe Qendra
Dixhitale e e Informimit Turistik, si dhe harta interaktive turistike në platformën zyrtare www.visit-ferizaj.com, që ofron një pasqyrë të detajuar të destinacioneve turistike lokale.

Prandaj sa i përket prioriteteve kryesore që ka pasur drejtoria gjatë këtij mandati ishin mbështetja e bizneseve dhe zhvillimi i turizmit:
“Brenda mundësive buxhetore që kishim, kemi arritur të zhvillojmë projekte të rëndësishme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale” theksoi drejtori z. Dërguti.

Drejtoria ka organizuar një sërë takimesh me bizneset e diasporës, me synimin për të promovuar potencialin investiv të Ferizajt. Si rezultat, dhjetëra biznese nga diaspora tashmë kanë investuar në komunë – përfshirë Dakon, Hotel Metropol, Dino, Mobyatech dhe Beni Al Plast.

Sa i përket bashkëpunimit me Organizata Ndërkombëtare janë organizatat si Swiss Contact ( Zvicër ) e cila ka bashkë-investuar me Komunën në këto projekte:
•Studimi i fizibilitetit për Zonën Turistike Jezerc,
•Shenjëzimi i shtigjeve për ecje,
•Projekti Via Ferrata.
•Pastaj organizata GIZ (Gjermani) ka kontribuar në organizimin e Panairit të Punës, me fokus në nxitjen e punësimit lokal.
•Si dhe MZHR (Ministria e Zhvillimit Rajonal): Ka mbështetur dy projekte të rëndësishme:
•Parku në lagjen Varosh,
•Fusha sportive dhe staza për biçikleta në zonën turistike Jezerc.

Drejtoria synon të thellojë angazhimin në:
• Subvencionimin e bizneseve të vogla me fokus te gratë, të rinjtë dhe startup-et,
• Krijimin e një Zone Industriale për bizneset prodhuese,
• Organizimin e takimeve B2B ndërmjet bizneseve të diasporës dhe atyre vendore,
• Promovimin e turizmit dhe mbështetjen për bizneset artizanale që ruajnë trashëgiminë kulturore./Për FerizajPress:Aurorë Zymberi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Zbulohen pesë emigrantë të paligjshëm në një rimorkio kamioni në Terminalin Doganor në Ferizaj

Ferizaj, 11.07.2025Sot, më datë 11.07.2025, rreth orës 16:00, policia ka pranuar një informatë se në Terminalin Doganor, në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img