29,07,2025

Ferizaj mikpret kulturat e botës në Festivalin Ndërkombëtar “N’Karadak Krisin Tupanat”

Must Read

Ferizaj, 28 korrik 2025 – Sheshi qendror i Ferizajt u shndërrua në një mozaik kulturor gjatë mbajtjes së edicionit të sivjetshëm të Festivalit Ndërkombëtar “N’Karadak Krisin Tupanat”, një ngjarje e veçantë që solli në qytet ritme, vallëzime dhe ngjyra nga mbarë bota.

Ky festival u organizua nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, duke përforcuar rolin e qytetit si qendër e gjallë kulturore në rajon.

Ngjarja nisi me një paradë të kulturave nëpër sheshet e qytetit në orën 19:30, për të kulmuar me një koncert madhështor në skenën kryesore, ku grupet pjesëmarrëse shpalosën traditat e tyre përmes vallëzimeve dhe muzikës tradicionale.

Në festival morën pjesë 10 vende nga tri kontinente, përfshirë: Spanjën, Brazilin, Bullgarinë, Meksikën, Turqinë, Italinë, Qipron Veriore, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën. Secila prej tyre solli një pjesë të shpirtit të kulturës vendase, duke u pritur me entuziazëm nga publiku ferizajas.

Atmosfera festive që mbizotëroi në qendër të qytetit, ofroi për të pranishmit jo vetëm një eksplorim artistik ndërkombëtar, por edhe momente të paharrueshme përmes fotografive, videove dhe emocioneve të ndara në komunitet.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit vlerësuan mikpritjen dhe organizimin, ndërsa qytetarët e Ferizajt shprehën krenarinë për të qenë pjesë e një ngjarjeje që promovon bashkëjetesën kulturore dhe ndërkombëtarizimin e qytetit.

“Në kuadër të manifestimit “Ditët e Mërgatës”, sonte u bë hapja zyrtare e festivalit ndërkombëtar të valles “N’Karadak Krisin Tupanat”. Në këtë festival performuan grupe të vallëtarëve nga vende të ndryshme të botës, si: Bullgaria, Qipro Veriore, Brazili, Spanja, Italia, Turqia dhe Meksika” deklaroi Shefi i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, z. Sabri Pajaziti. /Për FerizajPress: Aurorë Zymberi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Transporti urban drejt përmirësimit – Linja D gati të nisë në Ferizaj

Ferizaj, 28 korrik 2025 – Transporti urban në Ferizaj po hyn në një fazë të re zhvillimi, me funksionalizimin...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img